AlbanianSport.com 04/01/2021 17:55
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” të gazetares Albana Bejko në RTV Ora, ku ka bërë një bilanc të vitit 2020 dhe ka analizuar ngjarjet kryesore të futbollit shqiptare. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar ka folur për epideminë dhe ndikimin që Covid-19-ta pati gjatë këtij viti të vështirë, ndrysa ka bërë edhe një bilanc të Kombëtares dhe ekipeve zinxhir kuqezi.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka prekur edhe çështjen e bojkotit të klubeve dhe shpreson akoma që qeveria të ndihmojë sportin, duke plotësuar kërkesat e drejta të komunitetit të futbollit, ndërkohë që sa i përket objektivave ai shprehet se Kombëtarja do të tentojë të arrijë në “play-off”-in e Botërorit 2022 pavarësisht se përballë do të ketë rivalë mjaft të fortë. Në vijim, AlbanianSport.com ju sjell pjesën e parë të kësaj interviste:
– Ka qenë një vit që ka ndikuar normalisht edhe futbollin. Kriza që solli pandemia ka ndikuar shumë në të gjithë futbollin botëror, padyshim edhe në Shqipëri, ku është një industri ende shumë e brishtë. Sa sfidues ka qenë ky vit për Federatën, për ju?
– 2020-ta ishte realisht vit i vështirë. Vit i vështirë sepse ka ndikuar apo ka cenuar atë që është më e rëndësishmja e bazës së jetës, shëndetin. Kështu që përderisa jemi sulmuar të tërë nga virusi Covid-19, ka destabilizuar jetën, ka destabilizuar mënyrën e aktiviteteve në përgjithësi, ka destabilizuar pa dyshim edhe futbollin. Ka ndikuar direkt edhe indirekt tek ai. Por gjithsesi, unë mendoj se duhet ta shohim përsëri 2020-n, le të themi gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Kemi mësuar disa gjëra, kemi mësuar edhe të jetojmë ndryshe apo të bashkëjetojmë me një virus. Kemi mësuar edhe të luftojmë me të. Kemi mësuar që duhet të jemi më shumë bashkë edhe më shumë solidarë dhe të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrin se në fund të fundit kjo është gjëja më e rëndësishme. Kështu që duhet të jemi të gëzuar dhe të kënaqur ne që jemi mirë e shëndoshë dhe që sot vazhdojmë të jemi edhe në 2021-shin, por gjithsesi kemi pasur humbje që na kanë lënë shenja dhe histori negative, për të cilat ne duhet të ngushëllojmë të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur apo ato që u infektuan dhe kanë pasur probleme. Gjithashtu, duhet të falënderojmë ata që na kanë ndihmuar gjatë 2020-s, të cilët ne si Federatë i kemi konsideruar si Kombëtarja jonë e 2020-s, ekipin e mjekëve të të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë ata që kanë shërbyer të gjithë shoqërisë tonë.
– E ka penalizuar FSHF-në kjo epidemi? Ka pasur disa aspirata që duhet t’i kishin arritur në 2020-n dhe ka qenë pandemia që i ka penalizuar?
– Padyshim që nuk mund të pretendojmë që kemi marrë maksimumin e zhvillimeve sportive, maksimumin edhe të gjithë fushave të tjera të jetës, siç e thashë edhe më parë. Padyshim që nëse nuk do të ishte pandemia do të kishim një nivel më të mirë gare, do të kishim akoma më shumë mundësi. Mos të harrojmë që për dy muaj u ndërprenë plotësisht dhe ndërprerja ka edhe një ndikim fizik në gjendjen e futbollistëve. Por edhe pas ndërprerjes, me protokollet dhe rregullat e domosdoshme kanë ndikuar në mosarritjen e një performance maksimale sportive. Gjithashtu, ka ndikuar mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit, një gjë shumë e rëndësishme, një gjë që i jep një tjetër atmosferë ambientit sportiv, i jep një tjetër mënyrë impenjimi. Ka ndikuar gjithashtu edhe nga pikëpamja ekonomike. Ndoshta në futbollin shqiptar pak më pak, por në vende më të zhvilluara ka ndikuar akoma më shumë, pasi impakti i tyre ekonomik, qoftë nga mungesa e të ardhurave nga mungesa e spektatorëve aty është akoma më i madh, këtu disi më i vogël. Padyshim që ka ndikuar në financat, jo vetëm të klubeve, por edhe të Federatës së Futbollit, nga mungesa e të gjithë këtyre që thamë, pasi sigurisht ndeshjet e Liga e Kombeve do ishin me një tjetër impakt ekonomik për Federatën e Futbollit, përveçse kemi pasur shpenzime direkte për të ndihmuar anëtarët tanë në muajt e ndërprerjes mars-prill me paga. Kështu që të gjitha këto kanë ndikuar, por në fund të fundit ne duhet të jemi të gëzuar për faktin që më në fund kemi arritur të përfundojmë çdo lloj aktiviteti. Jemi nga vendet e pakta në botë dhe në Europë që kemi përfunduar çdo lloj aktiviteti sportiv. Nuk kemi anuluar asnjë, që nga ekipet e para të femrave, fëmijëve, amatorëve dhe gjithçka. Gjithashtu edhe në aspektin kontinental europian, jemi i vetmi kontinent, Europa që ka përfunduar të paktën garat e ekipeve kombëtare dhe ndeshjeve evropiane, që ishin vërtetë në vështirësi të mëdha për shkak të protokolleve. Ndërsa të gjithë kontinentet e tjera dhe të gjithë lojërat e tjera, i kanë ndërprerë. Kështu që parë në këtë këndvështrim ne duhet të jemi të kënaqur, për kaq sa kemi bërë. Dhe padyshim që ka edhe ndonjë zhvillim pozitiv sportiv dhe sado që nuk është i kënaqshëm me vitet e mëparshme apo nuk është i kënaqshëm me atë që ishte programuar nga gjithkush, nga çdo trajner, drejtues klubi apo objektiv personal i një atleti apo sportisti. Gjithsesi nëse ka pasur pak ndikim pozitiv duhet të jemi të lumtur në këtë vit të vështirë, 2020.
– Është një industri ende shumë e brishtë futbolli në Shqipëri. Sa mendoni se mund të mbijetojë në këtë situatë sepse sidoqoftë, pandemia nuk ka përfunduar ende kështu që jemi të paqartë për të ardhmen që na pret?
– Ne urojmë që kjo pandemia të kalojë dhe të kthehemi në jetën normale por nëse do të vazhdojë, padyshim që ka një ndikim negativ. Ndikimi negativ është që gjithkund, jo vetëm në një ekonomi apo industri të brishtë si në Shqipëri, por edhe atje ku janë të zhvilluar. Kështu që gjithsesi jam shumë i sigurt që jemi të përgatitur për të vazhduar garat si i kemi vazhduar në 2020-n dhe të urojmë që gjërat të mos përkeqësohen. Ndërsa në planet e zhvillimit të sportit në Shqipëri apo futbollit duhen shumë gjëra që kjo industri të kthehet në industri solide, në një industri me baza të shëndosha dhe që siguron të ardhmen. Dhe për të bërë këtë ne kemi bërë disa hapa, nuk është se nuk kemi bërë, por politikat shtetërore të zhvillimit të sportit në Shqipëri, jo vetëm që nuk kanë qenë në fokus apo prioritete, por kanë qenë inekzistente dhe gjatë vitit 2020 ne kemi pasur edhe një zhvillim në formë proteste nga ekipet apo nga klubet e Kategorisë Superiore për të kërkuar një ndryshim dhe një shtrat ligjor që do të përmirësonte zhvillimin e sportit dhe futbollit në veçanti.