AlbanianSport.com 10/04/2021 13:25
ASNN – Pas një beteje prej 2 orë e 16 minutash dhe 5 setesh, Partizani fiton duelin e parë të finalës së “play-off”-it për titull të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj. Të kuqtë kryeqytetas fituan të premten 3-2 ndaj Erzenit në finalen e parë të “play-off”-it të rrjetës së djemve, në një ndeshje me shumë emocione, i pati të gjitha dhe që u zhvillua në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet.
Një fitore që mund të kishte qenë më e lehtë dhe me shifrat 3-0 për të kuqtë e trajnerit Ylli Tomorri, që udhëhiqnin 2-0 me sete dhe ishin pranë fitores edhe në setin e 3-të, por gabuan në pikët shtesë. Erzeni e fitoi setin dhe arriti të rihapë një ndeshje që dukej e mbyllur, madje në setin e 5-të pati shansin të fitonte këtë finale të parë, por përsëriti gabimet e rivalëve dhe doli kokulur nga kjo sfidë.
Ndeshja nis mjaft mirë për kryeqytetasit, që dominojnë në fushë dhe fitojnë pa shumë probleme dy setet e para, përkatësisht 25-15 dhe 25-22. Por loja e Erzeni njeh rritje dhe kjo duket në dy setet e tjera, të fituara nga shijakasit, fillmisht 26-24 dhe, më pas 25-22, duke barazuar në 2-2 gjendjen e seteve dhe duke e çuar ndeshjen në setin e 5-të dhe të fundit.
Ky set është mjaft i barazpeshuar, me barazime të shumta e mjaft dramatik në pikët e fundit dhe në ato shtesë. Por Partizani arrin të tregohet më konkret dhe përton nga gabimet e Erzenit, duke fituar 17-15 dhe krejt takimin 3-2. Ditën e diel, në Pallatin e Sporti “Ramazan Njala” në Durrës do të luhet ndeshja e dytë finale e “play-off”-it për meshkuj, ndërkohë që “kampion” shpallet ekipi që fiton 3 nga 5 finalet e planikuara.