AlbanianSport.com 19.11.2014 12:55
ASNN – Nisur nga reagimet e shumta, diskutimet e hapura në disa transmetues, apo rrjete sociale, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së sqaron për publikun shqiptar si më poshtë:
Miqësorja Itali-Shqipëri nuk është transmetuar në TVSH, jo për fajin e transmetuesit publik. Të drejtat e transmetimit për territorin e Republikës së Shqipërisë e kishte Federata Shqiptare e futbollit, e cila ja dha ekskluzivitetin një pakete televizive me pagesë. RTSH bën me dije publikun e gjerë se qysh në datën e publikimit të kësaj miqësoreje, ka qënë në kontakte të përditshme me RAI-n për të blerë të drejtën e transmetimit të kësaj sfide, me çfarëdolloj cmimi, por këto të drejta nuk i kishte RAI, por Federata Italiane e Futbollit, e cila ia kaloi këtë të drejtë, Federatës Shqiptare të Futbollit. Miqësorja me Italinë nuk është pjesë e paketës së ndeshjeve kualifikuese të kombëtares shqiptare, që UEFA nëpërmjet kompanisë “CAA 11” ja ka shitur RTSH. Duke qënë se miqësorja e Genoas ishte një ndeshje e organizuar nga Federata Italiane e Futbollit, atëherë edhe të drejtat e transmetimit gëzoheshin dhe administroheshin nga kjo Federatë. Garantojmë publikun shqiptar që RTSH është gjithmonë i ndjeshëm dhe i vëmendshëm kundrejt veprimtarive me interes kombëtar, dhe për këtë fakt nuk kanë munguar në transmetuesin publik evente të tilla Evropiane e Botërore, sic ishte së fundi edhe Kampionati Botëror i Peshëngritjes, apo qoftë edhe të gjitha ndeshjet kualifikuese të kombëtares së futbollit. RTSH do të vazhdojë të ndjekë me interes dhe të këmbëngulë në ekskluzivitete të ndryshme sportive, duke respektuar jo vetëm publikun por edhe partnerët mediatikë dhe duke qenë të ndërgjegjshëm se pirateria nuk është mënyra për të zgjidhur problemet.