Nga Bedri Alimehmeti 20.08.2015 17:15
In memmoriam në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të futbollistit, që 17 vjeç veshi fanellën bardheblu. AlbanianSport.com ju sjell në disa pjesë këtë dosier dhe sot është pjesa e dytë e tij.
… vijon nga dje
Dhe vërtet edhe pse ende i njomë në moshë, falë kondicionit fizik, shtatlartësisë dhe aftësive teknike, pa harruar sigurisht edhe përkushtimin vetjak në stërvitje, Astrit Nurishmi u bë i padiskutueshëm në formacionin e të rinjve të Demnerit. Ndërkohë, gjatë një ndeshje kontrolli që ekipi i të rriturve të bardhebluve të viteve 60-të, të asaj skuadre “të artë”, që po dominonte në kampionatet e “topkëmbës” shqiptare, po zhvillonte me ekipin e të rinjve, trajnerit Myslym Alla i tërhoqi vemendjen loja plot rendiment e të riut Nurishmi. U interesua.
Dhe kur mësoi që ishte djali i mikut të tij Hysen Nurishmi, i erdhi mirë. Pas disa ditësh e takoi Hysenin dhe i tha t’ia sillte djalin tek ekipi i parë. “Është i vogël, – i tha Hyseni, – nuk i ka mbush 17 vjeç”. Por strategu i famshëm i bardhebluve të paharruar, që kanë mbetur nostalgjikë në kujtesën e atyre që patën fatin t’i shihnin mbi fushën e blertë, këmbënguli gjatë dhe pas disa ditësh, saktësisht pas përfundimit të një ndeshje tjetër kontrolli të ekipit të parë me të rinjtë në fushën e “qytetit të nxënësve” (sot kompleksi “Skënder Halili”), Myslym Alla e ndali Astritin para se të futej në dhomën e zhveshjes.
“Nigjo këtu ti, djali Hysenit, – i tha – nesër mbasdreke të du këtu në stërvitje me skuadrën e parë. Kam fol unë me trajnerin”. Dhe që nga ajo ditë gushti 1967, Astriti u bë pjesë e Tiranës, e cila në atë periudhë po kalonte një situatë të vështirë. Pak kohë më parë, saktësisht më 24 qershor pas derbit me Partizanin, mes lojtarëve kishin ndodhur incidente në dhomat e zhveshjes në “Qemal Stafa”. Por edhe pse ndeshja pati përfunduar 2-1 për Tiranën, të dy ekipet u përjashtuan nga kampionati. Madje Tirana doli më e ndëshkuar, asaj iu mohua titulli “kampion”, të cilin me atë fitore e pati siguruar, përpos që iu pezulluan me afate të gjata edhe lojtarë cilësor.
Madje atë vit FSHF nuk e nisi kampionatin si zakonisht në vjeshtë. Atë vit u organizua turneu i Kupës së FSHF, ku skuadrat e kategorisë së parë (sot superiore), ndarë në dy grupe luftuan për ta fituar atë. Pikërisht në ndeshjet e këtij turneu, bashkë me Fatmir Frashërin, Ali Memën, Pavllo Bukovikun, Osman Memën, Bahri Ishkën, Niko Xhaçkën, Josif Kazanxhiun, Arben Çelën, Bujar Tafajn, Luigj Bytyçin, Alfred Gjonin etj., u aktivizua për herë të parë me fanellën bardheblu Astrit Nurishmi, që mbante në shpinë numrin 2.
Dhe kjo paraqitje e parë e tij qe vërtetë e suksesshme, çka bëri që në vitin 1968, atëherë kur kampionati i futbollit ndryshe nga herët e tjera nisi në pranverë, aktivizimi i tij në radhët e mesfushës bardheblu të ishte i vazhdueshëm. Ndërkohë ecurinë e tij e ndiqnin me shumë interes, jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër rrethe, i ati dhe Beqiri i vëllai. Madje ata ishin edhe “kritikët” e parë për paraqitjen e tij në fushë. Në atë periudhë duhet thënë se ecuria e Tiranës nga java në javë erdhi gjithnjë e më shumë në ngritje.
Skuadra zuri kreun e renditjes dhe nuk e lëshoi atë deri në ndeshjen e fundit me Traktorin e Lushnjes. Një takim i paharruar, ku loja e shkëlqyer e 18-vjeçarit Astrit Nurishmi ka mbetur ende e gjallë në kujtesën e të gjithë atyre, që patën fatin ta ndiqnin atë ditë të paharruar dhjetori 1968. Dhe jo vetëm për paraqitjen e tij por, edhe për një fakt tjetër shumë të rëndësishëm.
Skeda
Emri: Astrit
Mbiemri: Nurishmi
Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 14 maj 1950
Roli: Mesfushor
Numri në fanellë: 2
Ekipet ku ka luajtur:
Të rinjtë e Tiranës: 1965-1967
Të rriturit e Tiranës: 1967-1970
Besa e Kavajës: 1970-1972
Trofe të fituara:
Dy herë kampion me Tiranën më 1968 dhe në sezonin 1969-1970.
U nda nga jeta: më 19 gusht 2005
Vijon nesër…