Nga Bedri Alimehmeti 21.08.2015 21:15
In memmoriam në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të futbollistit, që 17 vjeç veshi fanellën bardheblu. AlbanianSport.com ju sjell në disa pjesë këtë dosier dhe sot është pjesa e tretë e tij.
… vijon nga dje
Ka ndodhur në ndeshjen e fundit të kampionatit të vitit 1968. Luhej në Lushnjë ndaj Traktorit. Nëse barazonte Tirana, titullin e fitonte Partizani, që atë ditë e kishte të lehtë në transfertën me Apoloninë e Fierit. Takimi u luajt në një terren të rënduar nga shiu. Nga kryeqyteti drejt Lushnjes kishin udhëtuar me tren në hekurudhën e sapo inauguruar Rogozhinë-Fier me mijëra tifozë. Të parët në avantazh kaluan lushnjarët me anë të Xhoxhit, në minutën e 2-të. Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë Bahri Ishka barazon shifrat, 1-1.
Në minutën e 70-të të takimit, që vijonte i mbërthyer në shifrat e barabarta, Astrit Nurishmi pikas Luigj Bytyçin (Bixhi), i cili ndodhej i pambuluar në afërsi të harkut të zonës së rreptësisë lushnjare. Një pozicion vërtetë i favorshëm për të shënuar, ndaj pa e zgjatur i dhuron një top, të cilin Bixhi e godet fluturimthi. Dhe 2-1. “Kanë kaluar kaq vite, – kujton “Mjeshtri i Madh” Bytyçi, – por mua më duket sikur i ndjej ende përqafimet e shokëve.” Pas përfundimit të ndeshjes me fitoren e së cilës Tirana siguroi përfundimisht titullin “kampion”, tifozët janë futur në fushë dhe i kanë ngritur mbi supe lojtarët.
Ishte ky titulli i nëntë kampion i bardhebluve në arritjen e të cilit kishte kontribuar edhe 18-vjeçari Astrit Nurishmi, që në çastet e atij gëzimi të paparë ishte përlotur. Në vitin 1969 kampionati i futbollit nisi ecurinë e tij normale në vjeshtë. Ndërkohë në verën e atij viti ekipi bardheblu zhvilloi një turne miqësor në Rumani, ku në të tria ndeshjet e luajtura me skuadra të njohura rumune arriti dy fitore dhe një barazim. Dhe pjesëtar i skuadrës në këto suksese ishte edhe Astrit Nurishmi. Ndërkohë duhet thënë se këto takime i kanë shërbyer Tiranës si test për pjesëmarrjen në Kupën e Kampioneve.
Por, në dy përballjet me belgët e “Standart” të Liezhit (0-3 dhe 1-1), i riu Nurishmi nuk u aktivizua. Pas eliminimit nga Kupa e Kampioneve, bardheblutë kanë vijuar ecurinë e suksesshme në ndeshjet e kampionatit. Nga java në javë skuadra është ngritur në nivelet e një skuadre të kalibrit evropian. Për këtë dëshmon edhe fakti që Tirana e siguron titullin dy javë përpara përfundimit. Dhe pas kësaj, në gjoksin e 20-vjeçarit Nurishmi, shdrit medalja e dytë e titullit “kampion”. Më 16 shtator 1970, në turin e parë të Kupës së Kampioneve, ekipi bardheblu përballet në “Qemal Stafa” me “Ajaksin” e Amsterdamit një nga skuadrat më të forta të kontinentit.
Djemtë e trajnerit Alla arrijnë një barazim historik (2-2) edhe pse kanë qenë në disavantazh të dy golave. Kanë kaluar vërtet shumë vite nga ajo ditë, kur skuadra e trajnerit të njohur Rinus Mishels në përbërje të së cilës ishin Hulshof, Krujf, Neskez, Surbie, Vasoviç, Rep etj, u largua nga “Qemal Stafa” pa dhënë asnjë deklaratë. Dy javë më pas, më 1 tetor, në “Amsterdam Arena” pjesëtar i formacionit të bardhebluve është edhe Astrit Nurishmi.
Skeda
Emri: Astrit
Mbiemri: Nurishmi
Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 14 maj 1950
Roli: Mesfushor
Numri në fanellë: 2
Ekipet ku ka luajtur:
Të rinjtë e Tiranës: 1965-1967
Të rriturit e Tiranës: 1967-1970
Besa e Kavajës: 1970-1972
Trofe të fituara:
Dy herë kampion me Tiranën më 1968 dhe në sezonin 1969-1970.
U nda nga jeta: më 19 gusht 2005
Vijon nesër…