AlbanianSport.com 13/04/2020 20:20
ASNN – Ai është një futbollist i ri në moshë por që tanimë është shndërruar në një lojtar kyç për Verder Bremenin, duke qenë vendimtar, si me kontributin e tij në lojën e skuadrës, ashtu edhe me golat e shënuar. Për këtë arsyem prej disa muajsh është duke u spekuluar për të ardhmen e yllit të Kosovës, Milot Rashica, tek skuadra gjermane. Me Verder Bremenin, ai ka kontratë deri më 30 qershor të vitit 2022, por, në këtë kontratë, ai ka edhe një klauzolë për lirimi me vlerën e 38 milionë Eurove.
Sipas revistës gjermane, “Der Spiegel”, Verderi po mendon të shesë Rashicën dhe, po kështu, edhe vetë futbollisti me tipare sulmuese, po mendon të largohet nga klubi gjerman. Revista në fjalë raporton se Borusia e Dortmundit ka kontaktuar me Verderin për Rashicën, pasi verdhezinjtë e shohin 23-vjeçarin si pasardhës për Xhejdon Sanços. Tek Dortmundi vlerësojnë shumë faktin se ish-lojtari i Kombëtares kuqezi, tanimë i përfaqësueses së Kosovës, mund të luajë në pozicione të ndryshme në sulm.
Përveç Borusias së Dortmundit, raportohet se kanë kontaktuar me Verder Bremenin edhe disa klube të Premier Ligës Angleze, si Vulverhemptoni, Uest Hemi dhe Aston Vila. E mësohet se edhe Liverpuli, fituesi i Ligës së Kampioneve sezonin e shkuar, po interesohet për Rashicën. Mirëpo, plani për të shitur Rashicën pas përfundimit të sezonit për të paktën 38 milionë Euro, duket se po dështon, pasi vlerat e futbollistëve kanë rënë dukshëm prej krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Madje edhe klubet e fuqishme të Anglisë do ta kenë të vështirë të paguajnë 38 milionë euro në merkaton e verës. “Para krizës së koronavirusit ishim në kontakt me disa klube, edhe nga Bundesliga, por, për momentin çdo gjë ka rënë në heshtje”, ka thënë agjenti i Rashicës, Altin Lala, duke folur televizionin gjerman, “Sport1”. – Jam i sigurt se, së shpejti, kur të kthehet pak normaliteti, do të ketë lëvizje në këtë temë. Ndërkohë, deri në fund të sezonit, Miloti është plotësisht i përqendruar në betejën për mbijetesën të Verder Bremenit në elitën e futbollit gjerman.”