AlbanianSport.com 01.08.2015 15:15
ASNN – Sporti ka treguar edhe një herë tjetër se është i aftë të kapërcejë barrierat politike dhe rasti më i fundit vjen nga Rusia, e cila është detyruar t’u hapë dritën jeshile pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në veprimtaritë ndërkombëtare që zhvillohen në tokën e saj. Një gjë e tillë është konfirmuar zyrtarisht nga Ambasada e Rusisë në Beograd. Kështu, kosovarët mund të marrin pjesë në ngjarjet sportive ndërkombëtare në Rusi.
Ambasada ruse në Beograd ka bërë të ditur se me pasaportën e Kosovës hyrja në Rusi është e mundshme vetëm në rast të ngjarjeve ndërkombëtare të cilat i organizojnë organizatat ndërkombëtare, anëtare ose pjesëmarrëse e të cilave është Kosova. Rusia, sikundër dhe disa vende që s’e kanë njohur Kosovën, japin viza në formë të formularëve specialë të futur në pasaportën kosovare dhe vula hyrëse në kalim të kufirit rus nuk vihet.
“Hyrja me pasaportat e të ashtuquajturës “Republikë e Kosovës” në territorin Rusisë është i mundur vetëm në rastet që bazohen në respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Rusisë, në cilësinë e palës pranuese të ngjarjeve që organizohen përmes strukturave multilaterale, anëtare ose pjesëmarrëse e të cilave është e ashtuquajtura “Republikë e Kosovës”, si dhe për shkak të sigurimit të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të saj në ngjarjet sportive, të cilat mbahen në territorin e Rusisë nën përkujdesjen e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik ose të federatave përkatëse ndërkombëtare sportive”, – ka thënë ambasada.
Ambasada ruse në Beograd shton se kjo procedurë i përgjigjet praktikës serbe të trajtimit të dokumenteve kosovare dhe është futur në përdorim me dijeni të palës serbe e cila ka qenë e njoftuar për këtë. Ambasada thekson se qëndrimi i Rusisë për Kosovën nuk ka ndryshuar, por ky rast dëshmon edhe një herë tjetër se sporti është i aftë të kapërcejë barrierat politike.