Gjergj Vyshka 11.11.2015 07:55
Rusia i quan akuzat e WADA-s të pabaza, Australia e Zelanda e Re bashkohen për përjashtimin. “Rusia i ka cilësuar të pabaza akuzat e Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA) ndaj Federatës së Atletikës”. Kështu ka pohuar zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov: “Çështja është se nëse ka akuza ato duhet të jenë të mbështetura në prova. Derisa nuk ka prova është e vështirë të vërtetohen akuzat, të cilat janë të pabaza”.
Në të njëjtën kohë të mërkurën Putin ka thirrur në Soçi kryetarët e Federatave sportive për të diskutuar me ta përgatitjet për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Ndërsa, Australia e Zelanda e Re i janë bashkuar Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut duke kërkuar përjashtimin e Rusisë. Por Ministri i Sportit, Vitali Mutko, ka shfaqur gatishmërinë e Rusisë për t’u përballur me të gjitha parregullsitë të çfarëdolloj tipi të bëra pjesë nga Agjencia Kombëtare e Antidopingut.
Dikasteri, në fakt, ka bërë edhe apel ndaj Agjencisë Botërore të Antidopingut për të pasur fakte të bazuar në prova dhe jo informacione të dhëna nga gazetarë, apo individ të veçantë. Ministri më pas ka pranuar se ka qenë i vetëdijshëm për problemet që ka pasur Federata e Atletikës e Rusisë. Por në të njëjtën kohë ka pohuar dhe punën që ka bërë për të vënë gjërat në rregull. Agjencia Botërore e Antidopingut ka njoftuar për pezullimin provizor dhe me efekt të menjëhershëm të laboratorit antidoping në Moskë.
Vendimi është marrë të nesërmen e bërjes publike të raportit në të cilin Agjencia Botërore e Antidopingut akuzonte rëndë shtetin në rastet e dopingut. “Agjencia Botërore e Antidopingut ka reaguar menjëherë mbi bazën e rekomandimeve të formuluara nga komisioni i pavarur, që i kishte bërë të ditura në raportin e tij”, ka thënë presidenti Kreig Redie që më pas ka shtuar: “Laboratori i Moskës është provizorisht i pezulluar”. Menjëherë më pas është dorëhequr drejtuesi i këtij laboratori, Grigori Rodçenkov.