Gjergj Vyshka 16.10.2014 19:40
“Si të bëhesh Kampion Bote në Volejboll”. Kjo do të jetë tema e seminarit teoriko-praktik i Donald Suxhos, organizatorit shqiptar që bëri histori me ekipin përfaqësuese të Amerikës. Dy herë fituesi i medaljeve të arta në Lojërat Olimpike “Athinë 2004” dhe “Londër 2012”, por dhe fitues i titullit kampion bote, Suxho ka se çfarë të tregojë me karrierën e tij të pasur me shumë trofe për studentët shqiptar.
Federata Shqiptare e Volejbollit ka lajmëruar se seminari teorik do të mbahet në mjediset e Universitetit të Sporteve, kurse ai praktik në palestrën e këtij Universiteti. Nuk duhet harruar që Suxho ndodhet në Tiranë prej gati dy javësh sepse është pjesë e Studentit të Ylli Tomorrit në “Çellenxh Kap” (Challenge Cup), ndërsa të martën është ndeshja e kthimit me hungarezët e Fino Kaposvarit.
Ditë më parë, gjithnjë për të treguar eksperiencën e tij pozitive, aq më shumë që ka luajtur në disa klube me emër në Evropë, sidomos në Itali, Suxho ka bërë dhe një seancë stërvitore me kampionët e Shqipërisë në volejboll për femra, Barleti Volej. Ndaj dhe eksperienca e tij vlen dhe për studentët e Universitetit të Sporteve që nesër do të jenë trajnerët e ardhshëm.