AlbanianSport.com 02.11.2014 07:05
ASNN – “Ikona” e volejbollit shqiptar zgjedh të kthehet pas 20 vitesh tek kampionët e Shqipërisë. Fituesi i titullit Kampion Bote dhe Medalja e Artë në Olimpiadë nderohet në qytetin e Korçës. Mund të quhet një nga ditët më mbresëlënëse dhe më të bukura ajo e djeshmja në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”, teksa Donald Suxho, pas 20 vitesh, rikthehet të veshë fanellën e Studentit. Në fakt dje ndeshja e volejbollit të meshkujve mes Skënderbeut e Studentit, e vlefshme për javën e katërt të kampionatit, ka sjellë të tjera emocione në parketin korçar.
Të gjithë e kanë pasur mendjen te Donald Suxho, ish-volejbollistin e kombëtares së famshme amerikane, por që tashmë ka preferuar të zgjedhë Studentit e pakta për 20 ditë, skuadër që do të luajë në Kupat e Evropës. Ka qenë një telefonatë e trajnerit Ylli Tomori të Studentit, që ka bindur korçarin Suxho të kthehet në Shqipëri. Dhe dje Pallati i sportit “Tamara Nikolla” është dukur më plot se asnjëherë më parë, pasi pas plot 20 vitesh rikthehet dhe shkel në qytetin e tij të lindjes Donald Suxho.
Dje Studenti ka luajtur javën e 4-ët dhe shorti e vuri përballë Skënderbeut në Korçë. Kjo bëri që Suxho të udhëtojë bashkë me skuadrën e tij të re që sapo e ka zgjedhur. Menjëherë sapo ka arritur në Korçë, është takuar me shumë shok e miq duke kaluar momentet më të paharruara. Kafe me të gjithë dhe takime me shumë mall kanë qënë të shumta deri në momentin që ora po shënonte që të mbërrinte në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të këtij qyteti.
Përpara nisjes të ndeshjes së djeshme Skënderbeu-Studenti, pas nxehjes, Suxho vesh fanellën me numrin 8 të Skënderbeut të dhuruar nga ana e klubit korçar dhe mes duartrokitjeve të shumta ka pozuar me të dy ekipet, Studentin dhe Skënderbeun. Më pas një buqetë me lule me dedikimin “Mirenjohje” nga ana e klubit “Skënderbeu” i është dhuruar volejbollistit legjendar nga dy inspektorët e këtij klubi. Pas këtij momenti, Suxho në shenjë kujtimi, ka kryer vetëm një shërbim dhe më pas është larguar te dhomat e zhveshjes, pasi nuk ishte i federuar për ndeshjet e kampionatit shqiptar.