AlbanianSport.com 28.09.2015 17:05
ASNN – Në ceremoninë e organizuar enkas nga Bashkia për të nderuar kontributin e volejbollistit juglindor ra në sy mos serioziteti, pasi as kryetari dhe as nënkryetari nuk nderuan Suxhon. Ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme dy ditë më parë kupa “Donald Suxho”, por dje përfundoi në mënyrën më të turpshme. Ka ndodhur kështu sepse në ceremoninë e dekorimit për “Qytetar Nderi” të lojtarit të famshëm korçar nuk ka denjuar të jetë as kreu i bashkisë Sotiraq Filo, por as nënkryetari.
Megjithëse ishte një titull i akorduar nga Bashkia e Korçës, dy krerët nuk denjuan të ishin pjesë e dorëzimit të titullit. Finalja e djeshme është luajtur në orën 10:00 të paradites, ndërkohë që në orën 12:00 ishte lënë edhe ceremonia e organizuar enkas për dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” të Korçës, Donald Suxhos, që nuk ishte prezent pasi ndodhet në kontinentin tjetër. Por nga SHBA-ja kishte mbërritur enkas mamaja e volejbollistit në fjalë.
Dhe gjithçka ka shkuar mirë deri në momentin e mbylljes së Kupës, por që gjatë ceremonisë nuk ka qenë asnjë nga njerëzit e Bashkisë, që në fakt le pikëpyetje të mëdha pasi çfarë do që të ndodhte, të paktën kryetari, ose nënkryetari duhet të ishte prezent për të dorëzuar këtë titull të lartë që mori dje Suxho. Ai që dorëzoi titullin ishte kryetari i këshillit bashkiak, Ilir Bajlozi. Një titull të tillë e meritonte Donaldi dhe familja e tij.