AlbanianSport.com 13.10.2014 14:35
ASNN – Rezultatet e dobëta e kanë futur në krizë Domosdovën, e cila pas dy javësh kampionati ka zero pikë. Tashmë klubi po merr masa për të rigjetur fitoren dhe ngritjen e moralit të futbollistëve. Për këtë gjë ata ndjehen të favorizuar edhe nga java që u bë pushim për arsye të ndeshjeve të Kombëtares sonë për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Gjatë këtyre ditëve, trajneri Rira ka zhvilluar stërvitje intensive me lojtarët, pasi disa prej tyre kanë pak kohë që i janë bashkuar ekipit dhe kanë nevojë për t’u përshtatur dhe për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës.
Përgatitja fizike e tyre është mjaft e mirë, prandaj Rira është fokusuar më shumë tek taktika, pasi lojtarët kanë hasur vështirësi në ndërtimin e aksioneve. Rira shprehet se emrat e rinj, që iu bashkuan Domosdovës këtë fillim sezoni, kanë kualitet dhe aftësi mjaft të mira dhe do ta ndihmojnë ekipin. “Por u duhet më shumë kohë për t’u përshtatur me atë që kërkon Domosdova në fushën e lojës, – ka pohuar ai. – Shpresoj që ta rigjejnë sa më shpejt kombinimin me pjesën e ekipit, pasi nuk duhet të bëjmë më hap fals.”
“Domosdova do të ketë në dispozicion edhe një javë kohë për t’u përmirësuar deri ditën që do të zhvillojë ndeshjen e radhës, – ka vijuar trajneri prrenjak. – Një disfavor tjetër për ne është se ndeshjet do të jemi të detyruar t’i luajmë jashtë, pra në stadiumin e Cërrikut, “Nexhip Trungu”. Sepse në atë impiant nuk kemi dhe mbështetjen e duhur nga tifozët dhe mund të themi që i luajmë të gjitha ndeshjet jashtë.” Lojtarët shprehen se dy humbje radhazi kanë dhënë një goditje të rëndë psikologjike tek ata.
“Prandaj do të kërkojmë me çdo kusht fitoren në ndeshjen e radhës që dhe atmosfera në grupin e lojtarëve të jetë më pozitive, – është përgjigjur Rira. – Do të luajmë të bashkuar pasi vetëm në mënyrë të tillë mund t’ia dalim. Në ndeshjen e fundit mund të themi që Domosdova ka pasur kundër dhe fatin, pasi u goditën disa herë shtyllat e portës së kundërshtarit, por nuk shënuam dot. Shpresojmë që me pak fat dhe me shumë punë të rikthehemi tek fitorja”, – ka përfunduar trajneri i Domosdovës, Lulzim Rira.