AlbanianSport.com 26.11.2014 11:35
ASNN – Situata në skuadrën e Domosdovës së Prrenjasit vazhdon të jetë mjaft e ndërlikuar, ndërsa vazhdon të jetë e pozicionuar në fundin e renditjes me zero pikë në grupin e Veriut të Kategorisë së Dytë. Këto seri rezultatesh negative ndoshta kanë pasur ndikimin e mungesës së fushës vendëse, pasi prrenjakët janë të detyruar të luajnë në Cërrik.
Trajneri i Domosdovës, Lulzim Rira, shprehet se i vjen shumë keq për gjendjen e skuadrës, e cila ndodhet në pozita kaq të vështira në renditje. “Ne nuk e meritojmë të jemi me zero pikë, pasi kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira dhe në disa raste jemi ndëshkuar edhe nga gjyqtarët, – ka deklaruar ai. – Kanë qënë shumë faktorë të mbledhur bashkë, që na kanë lënë ende në fundin e tabelës dhe aq më keq me 0 pikë.”
“Shpresojmë të fillijmë të rikuperojmë që në ndeshjen e radhës dhe ta mbyllim fazën e parë me disa pikë”, – ka shtuar Rira. Domosdova nuk ka regjistruar asnjë fitore, apo barazim deri në këtë javë në kampionat. Ata kanë shënuar mjaft gola, por që janë të pavlefshëm, pasi kanë pësuar gjithmonë më shumë se sa kanë realizuar. Ky tregues qartëson se pjesa e sulmit mbetet e mirë dhe ka aftësi shënimi, ndërsa faza mbrojtëse ka pasur shumë probleme.
Rira thekson se djemtë e tij kanë arritur të shënojnë mjaft herë, por edhe kanë pësuar shumë. “Mund të themi që dhe fati ka qënë kundra nesh, në disa raste edhe gjyqtarët”, – ka përfunduar ai.