AlbanianSport.com 21.10.2014 21:40
ASNN – Një hap tjetër fals ka pësuar Domosdova këtë javë, teksa është mundur 5-0 nga Shënkolli. Situata në kampin prrenjak sa vjen dhe rëndohet, ndërsa skuadra ende nuk ka marrë pikët e para në këtë kampionat. Një disfatë e tretë në javën e tretë të kampionatit tregon se ekipi është i rënduar edhe psikologjikisht. Domosdova pati edhe disa afrime të mira, por duket se nuk po japin rezultatin e pritur.
Kampionati sapo ka filluar dhe shpresat nuk janë shuar në ekip, pasi ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe ata shpresojnë të rikuperojnë në rezultat që në ndeshjen e radhës. Devi Bego, i cili luan në rolin e mbrojtësit të djathtë, shprehet se: “E kemi filluar keq kampionatit dhe nuk po arrijmë të gjejmë një rezultat pozitiv, i cili do të na përmirësonte shumë.”
“Kemi shfaqur disa probleme si në prapavijë, ashtu edhe në sulm, por shpresojmë të rikuperojmë sa më shpejt, – ka vijuar ai. – Trajneri Rira ka testuar disa formacione e lojtarë, por duket se nuk po e gjen atë idealin, i cili të prodhojë edhe rezultate pozitive. Trajneri po bën një punë të mirë dhe ne do të përkushtohemi sa më shumë që t’ia shpërblejmë me rezultate pozitive.”
“Nuk besoj se ka vend për disfata, por ne do të kërkojmë kthesën që në ndeshjen e radhës. Të gjithë jemi të karikuar plotësisht mbas këtyre rezultateve negative për të bërë kthesën”, – ka përfunduar 19-vjeçari i Domosdovës, Devi Bego.