AlbanianSport.com 13/09/2021 19:55
ASNN – Braziliani përfiton edhe 5 milionë stërlina shtesë nëse nuk dëmton imazhin e Paris SG-së. Gjatë qëndrimit në Paris, Nejmari vazhdon të shtojë pasurinë e tij. Sipas një klauzole etike në kontratën e tij me klubin parizien, ai duhet të shmangë polemikat politike ose fetare, të jetë i sjellshëm, i përpiktë me të gjithë, madje duhet të gjejë kohë të takohet edhe me tifozët.
Nëse e zbaton këtë, ai përfiton edhe 5 milionë stërlina të tjera në vit. 29-vjeçari është një i krishterë i devotshëm dhe kështu sillet edhe në rrjetet sociale. Përveç pagës mujore, ai merr një shtesë prej 461,947 stërlina bruto çdo muaj nëse shmang çdo “propagandë politike ose fetare” që mund të dëmtojë imazhin e Paris SG-së. Kjo shumë i shtohet pagës së tij javore prej 490 mijë stërlina që merr nga kontrata me klubin parizien.
E ashtuquajtura “klauzola etike” në kontratën e Nejmarin me Paris SG-në gjithashtu e ndalon atë të bëjë ndonjë “koment negativ publik për klubin” dhe kërkon “sjellje shembullore” nga 29-vjeçari. Klauzola e kontratës, e zbuluar pas një hetimi nga gazeta spanjolle “El Mundo”, kërkon që Nejmar të jetë “i sjellshëm, i përpiktë, miqësor dhe i disponueshëm për tifozët”.