AlbanianSport.com 03.12.2015 19:50
ASNN – Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka organizuar një veprimtari simbolike sportive, të quajtur “Gara me jetën”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta. Qëllimi i kësaj veprimtarie ishte pikërisht sensibilizimi i të gjitha institucioneve dhe aktorëve me të drejtat e “PAK”, duke përcjellë mesazhin se, çdokush duhet të ndihet i barabartë në shoqëri.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi aktivitetin sportiv “Gara për Jetën”, ku persona me aftësi të veçanta, me karroca me rrota, zhvilluan një ndeshje basketbolli. Pjesë e ekipeve respektive të basketbollit u bënë edhe ministri Blendi Klosi, si dhe ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu.
Në fjalën e tij, ministri Klosi vlerësoi se situata me të cilën përballen sot personat me aftësi të kufizuara, që të marrë një zgjidhje përfundimtare kërkon disa ndërhyrje rrënjësore që shkojnë përtej trajtimit financiar. Gjatë kësaj veprimtarie, ministri Klosi dhe ambasadori Lu zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të “PAK”, ku u njohën më nga afër lidhur me problematikën që shoqëron këtë shtresë të shoqërisë.