Gjergj Vyshka 04.12.2015 14:20
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka organizuar një veprimtari simbolike sportive, të quajtur “Gara me jetën”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta. Qëllimi i kësaj veprimtarie ishte pikërisht sensibilizimi i të gjitha institucioneve dhe aktorëve me të drejtat e “PAK”, duke përcjellë mesazhin se, çdokush duhet të ndihet i barabartë në shoqëri.
Nga ana e tij si pjesëmarrës në këtë veprimtari, ambasadori amerikan, Donald Lu solli në vëmendje se të gjithë, pavarësisht aftësive që zotërojnë duhet të ndihen të barabartë, pasi me besim dhe optimizëm çdo gjë mund të arrihet. Në këtë takim, që është zhvilluar në sallën sportive “Farie Hoti” e që pati edhe kontributin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, ka përshëndetur edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.
“Vetëm pak muaj më parë, në prill të këtij viti, kam qenë një nga nismëtarët e dhurimit të një karroce për personat me aftësi të kufizuara, – ka deklaruar ai. – Dhe këtë gjë e kam bërë në emër të 2,000 djemve e vajzave konviktore të akomoduara në mjediset e Trajtim Studenti nr. 2 në kryeqytet, falë një aksioni human.”
Në këtë takim kanë qenë të pranishëm jo vetëm sportistë e trajnerë të klubit shumësportësh “Tirana”, por dhe Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, ai i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, si dhe i bardhebluve, Pirro Koleka. Ndeshja e basketbollit është gjykuar nga gjyqtari i kolegjiumit të Tiranës, Adrian Dulçe.