AlbanianSport.com 26.09.2014 10:35
ASNN – Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar vazhdon të përcjellë emocionet e veprimtarive madhore sportive ndërkombëtare dhe transmetuesi publik po sjell për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet e Kampionatit Botëror të Volejbollit për Femra, që po mbahet në Itali. Kronika në vijim na njeh me ndeshjet e ditës së 3-të të fazës së ndeshjeve në grupe.
Kampionatit Botëror të Volejbollit për Femra, që po zhvillohet në Itali dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka luajtur ndeshjet e ditës së tretë, e cila ka vijuar me ngarkesë të plotë, pasi janë zhvilluar 12 ndeshje. Midis takimeve të djeshme, spikati fitorja 3-0 që Gjermania arriti ndaj Tunizisë, ndërsa me të njëjtat shifra, Brazili mposhti Kanadanë dhe Republika Domenikane mundi Kroacinë.
Takimi më i spikatur ka qenë ai midis Argjentinës dhe Italisë, që pati nevojë për 5 sete dhe ku në fund triumfoi përfaqësuesja e vendit organizator. Ky Kampionat Botëror ka nisur të martën dhe mbyllet më 12 tetor 2014 dhe në fazën e parë, që zgjat 6 ditë, 24 skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë në 4 grupe me nga 6 skuadra secila, dhe 4 të parat e renditjes vazhdojnë më tej në fazën e çerekfinale.
Ndeshjet e fazës së parë të grupeve luhen në oraret 10:30, 17:10 dhe 20:00, dhe takimet më të spikatura të ditës po sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke u alternuar në kanalin e parë dhe të dytë të platformës tokësore, si dhe në kanalin RTSH Sport dhe RTSH HD të platformës dixhitale.