AlbanianSport.com 09/01/2018 14:15
ASNN – Tifozët e Tiranës pushtuan fushën dhe u përplasën me lojtarët, Disiplina e FSHF-së nuk e “pa” dhunën. Të martën në ndeshjen Tirana-Kukësi pati dhunë, pasi një pjesë e tifozerisë bardheblu u fut në fushë duke sulmuar lojtarët e Tiranës, të cilëve u kërkonin të hiqnin bluzat. Ngjarja mori ngjyrim dramatik për pak momente, sepse rojet e sigurisë, që ishin licencuar për të menaxhuar sigurinë në ndeshje u thyen shpejt e dolën “jashtë loje”.
Për pasojë u desh ndërhyrja e policisë që të qetësoheshin gjakrat dhe të vihej kontrolli mbi fushën dhe impiantin. Si përfundim, Tirana u procedua nga ana disiplinore dhe sot Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit e dënoi Tiranën me dy ndeshje pa spektatorë për shkak të sjelljes së keqe të tifozerisë. Në fakt, pritej një dënim më i rëndë për klubin, duke pasur parasysh rastet e përsëritura të tifozerisë së grupit “Fanatiks”.
Por nga ana tjetër, duhet pranuar se Disiplina ka shfaqur mëshirë për faktin se tifozët nuk e kanë me ndeshjen dhe me skuadrën, por me presidentin e klubit Refik Halili, një situatë e ngatërruar, ku nuk merret vesh se kush është fajtori i vërtetë.
Ja vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës:
KF “Tirana”, për dështimin në përmbushjen e përgjegjësive, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke u futur brenda pjesës së rrethuar të fushës dhe duke shkaktuar akte dhune ndaj lojtarëve, në bazë të Nenit 66/3/a të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
Lojtari i FK “Tërbuni”, Denis Taku, për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i KF “Devolli”, Ardit Jaupaj, për provokim të publikut dhe sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 53/1 dhe 49/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashte) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
KF “Delvina”,për sjellje të gabuar të tifozëve, në bazë të nenit 13/1 të KDS paralajmërohet se në rast përsëritje të sjellje të tilla do të jetë subjekt i ndëshkimeve që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive.
Lojtari i SHS “Përmeti” Xhuljo Mamushi për sjellje të gabuar ndaj kundërshtareve të ndeshjes dhe për ofendime ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të neneve 48/1/d ,49/1/a dënohet me 4 (katër)ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i FK“Kamza” U-19, Albjon Alimema, për sjellje të gabuar ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/d të KDS, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti
Lojtari i “Shkendija” T.B U-19, Bashkim Koleci, për sjellje te gabuar ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5(pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i “Term FC” U-19 Gentjan Noka për sjellje të gabuar ndaj ekipit kundërshtar në bazë të nenit 48/1/d të KDS dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike.
Zyrtari i KF “BRIANS” U-17,Aldi Shyti, për protesta ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2(dy)ndeshje pezullim nga aktiviteti.
FC “Bylis” U-17,për mosparaqitje në ndeshje në bazë të nenit 55/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 (tre me zero).
Lojtari i FK “Tomori” U-17,Remino Nazeraj, për sjellje të keqe ndaj zyrtareve të ndeshjes ,në bazë të nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4(katër)ndeshje pezullim nga aktiviteti.