AlbanianSport.com 21/09/2021 21:40
ASNN – Ndëshkohen Teuta, Vllaznia, Tirana, Partizani dhe Skënderbeu, Abazaj, 8 ndeshje pezullim. Gjysma e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, është ndëshkuar me gjoba, por ka marrë edhe paralajmërime për sjellje të gabuar të spektatorëve si dhe për mosrespektim të rregullores. Kështu, Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka zhvilluar të martën mbledhjen e radhës, ku nuk kanë munguar masat ndëshkimore, pavarësisht se sezoni sapo ka filluar.
Gjysma e Superiores është gjobitur dhe paralajmëruar, duke nisur me Teutën, Vllazninë, Tiranën, Partizanin e Skënderbeun. Sjellja e gabuar e tifozëve nëpër stadiume, si dhe mosrespektimi i logos së sponsorit të ri janë shkaku i masave të marra, që kanë konsistuar në një gjobë në masën 50.000 lekë. Nuk kanë munguar ndëshkimet dhe në nivelet më të ulta të kampionatit, ku masat kanë qenë më të ashpra, deri në 8 javë pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Siç është edhe rasti i zyrtarit të Pogradecit, Ardian Abazaj. Po kështu, lojtari i A.F. “Luftëtari”, Skerdi Matushi, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Po kështu ka patur pezullime me dy ndeshje për një numër lojtarësh të tjerë të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë së Parë, por edhe kampionatit të grupmoshës së Nën-19-vjeçarëve e të tjera.