Adriatik Balla 15.08.2015 23:05
Edhe pse skuadra kroate e Dinamos së Zagrebit, të paktën në teori, shihet favorite për t’u kualifikuar në kurriz të Skënderbeut, trajneri i këtij ekipi Zoran Mamiç ka këshilluar lojtarët e tij të mos e nënvlerësojnë kampionen e Shqipërisë dhe informacioni që ai ka mbledhur për Skënderbeun e ka bindur se skuadra e Mirel Josës është me potencial dhe e rrezikshme, gjë që do ta verë në vështirësi serioze Dinamon e tij.
Për këtë ai ka kërkuar mirëkuptim edhe nga tifozët e skuadrës, duke dashur një mbështje maksimale për skuadrën e Dinamos së Zagrebit. Në fund të intervistës për ndeshjen e fundjavës në kampionat, Mamiç, foli më gjerë për ndeshjen me Skënderbeun, duke këmbëngulur: “Nuk duhet të mendojmë shumë për Skënderbeun, sepse kemi më parë sfidën me RNK Splitin”.
“Nuk më pëlqejnë ato që janë shkruar për Skënderbeun dhe futbollin shqiptar në mediat kroate, ata meritojnë vëmendje maksimale, – theksoi trajneri i skuadrës më të spikatur ndër vite të futbollit kroat dhe atij ish-jugosllav. – Kombëtarja shqiptare po zhvillon ndeshje të mëdha në këto eliminatore, por edhe klubet shqiptare po rriten shumë. Skënderbeu është prej 5 sezonesh kampion i vendit dhe çdo vit po forcohet më shumë.”
Mamiç ka informacione të detajuara për kampionët e Shqipërisë veçanërisht për ecurinë në Ligën e Kampioneve. “Vitet e fundit Skënderbeu për pak eliminoi Çernomorecin e Odesës, ndërsa ka nxjerrë jashtë loje edhe Njeftçin e Bakusë. Këtë vit ka mundur dy herë me lehtësi Milsamin, skuadër që ka eliminuar Ludogorecin e Razgradit. Të mërkurën humbi Superkupën, por ishte thuajse një tjetër skuadër. Skënderbeu nuk duhet nënvlerësuar”, – përfundoi trajneri i Dinamos së Zagrebit, Zoran Mamiç.