AlbanianSport.com 14.10.2014 14:35
ASNN – Dinamo e ka nisur javën e përgatitjes ndaj Sopotit, një ndeshje që do të luhet në transfertën cërrikase, në kalçeto. Dhe kjo jo me dëshirë, por sepse fusha me bar artificial e ish-kompleksit Dinamo, që tashmë administrohet nga Agjencia e Shërbimit të Sporteve, ishte e zënë nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare në kryeqytet, të cilët vazhdojnë aktivitetin e tyre për Kupën “Koka-Kola”.
Përgjegjësi i futbollit të fëmijëve në Federatën Shqiptare të Futbollit, Sulejman Demollari, ka sqaruar se ky aktivitet do të zgjasë 1 muaj, ndërsa në garë janë 12 skuadra konkurrente. Por përtej kësaj, Dinamo vetëm dy ditë përpara fillimit të ndeshjes me Sopotin mund të zbresë në fushën e stërvitjes, sepse dhe të mërkurën ajo do të jetë e zënë me paratërinjtë dhe të rinjtë, të cilët do të luajnë ndeshjet e tyre të kampionatit.
Por habia shkon më tej, teksa administratori i bluve, Ismet Saliaj, për “Gazeta e Sportit” ka deklaruar: “Do të vijë të bëjë stërvitje në orarin tonë, pra 11:00, Sopoti. Kurse do të zhvendosemi në 8 të mëngjesit. Atëherë si mund të kërkojmë cilësi dhe rezultate me këtë lloj denigrimi që i bëhet Dinamos?!”. Duket si paradoksale, por që e vërteta është se Dinamo, si për shkak të Kupës “Koka-Kola”, por dhe të rinjve që do të luajnë në mesjavë, do të jetë e mbyllur në kalçeto.