Gjergj Vyshka 30.12.2014 18:50
Administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, ka theksuar se fillimi i vitit të ri do të sqarojë shumë gjëra përsa i përket Bekim Kulit, por edhe merkatos dimërore në tërësi. “E kemi lënë për në ditët e para të janarit, ashtu sikurse do të zgjidhim dhe të gjitha dilemat që ne kemi për përforcimet e reja në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër”, – ka thënë ai.
“Sa për largime deklaroj botërisht që nuk do të ketë, qoftë portieri i dytë Guga, por dhe portieri i parë Lamellari, – ka vijuar administratori i bluve kryeqytetas. – Me këtë të fundit ne jemi shumë të kënaqur dhe nuk jemi aspak në kërkim të ndonjë portieri tjetër. Për të larguarit e tjerë, ata janë kryesisht disa lojtarë të rinj.
“Kjo sepse një pjesë e të cilëve edhe duke qenë në shkollë e kanë të vështirë të përballojnë dhe të bëjnë stërvitjen në kohën që e kemi ne, pra paradite, – ka pohuar Saliaj. – Kështu që nuk kemi asnjë të larguar, por vetëm të afruar të cilët do t’i zyrtarizojmë gjatë janarit.”
“Me Kulin e kemi lënë të flasim në janar, por do të shohim e do të bëjmë”, – ka përfunduar administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, ndërkohë që të hënën e 5 janarit, në ora 11:00, blutë kryeqytetas do të jenë në seancën e tyre të parë stërvitore për vitin 2015.