Gjergj Vyshka 02.02.2015 10:35
Administratori i bluve, Ismet Saliaj, nuk e ka për natyrë të dorëzohet para çdo vështirësie. Dhe këtë duket se ia ka kërkuar dhe skuadrës. “Unë nuk jam dorëzuar dhe nuk dorëzohem, sepse po të isha i tillë as nuk do të isha tek Kompleksi, por as nuk do të komunikoja me ju në telefon, – ka deklaruar ai. – Përkundrazi ne do të vazhdojmë deri në fund të kërkojmë ngjitjen në Superiore.”
“Ajo që më bën të ndihem keq është fakti se me shumë sforco kemi bërë përforcimet e kërkuara nga trajneri në janar dhe ata janë duke zhgënjyer më shumë, – ka vijuar ai. – Ne ekipin e kishim dhe e kemi pranuar dhe vetë që edhe kur kemi fituar nuk kemi shkëlqyer. Përkundrazi i kemi bërë kritikat skuadrës, por atë paraqitje aq të dobët me Bylisin nuk e prisnim.”
Saliaj ka sqaruar dhe situatën në lidhje me Daniel Xhafajn, teksa nëpër medie është thënë që është larguar prej bluve dhe po ikën jashtë vendit. “Së pari ai ka munguar në ndeshjen me Bylisin, sepse ka pasur fëmijën sëmurë. Së dyti ai do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës sonë dhe si i tillë i ka ato vlera për të na ndihmuar që të arrijmë objektivin. Kështu që nuk ka asgjë të vërtetë për largimin e tij nga Dinamo.”