Gjergj Vyshka 06.03.2015 08:35
Drejtuesit e bluve ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e trajnerit, duket se do të vazhdojë Asllani. Në përballjen me liqenorët kthehen në ekip Turdiu, Thana e Tafaj, që munguan në Sarandë. Dinamo e ka nisur përgatitjen e ndeshjes të së shtunës me Pogradecin nga fushat e kalçetos të kompleksit të Pishinave. Ka ndodhur kështu, sepse nisur dhe udhëtimi i gjatë nga Saranda, teksa blutë kanë mbërritur në Tiranë afër mesnatës, i ka detyruar blutë që të pushojnë më gjatë për ta kryer seancën stërvitore dje pasdite në ora 15:00.
Në mungesë të një orari të tillë në ish-kompleksin blu, sepse në atë kohë ishin duke u stërvitur ekipet e moshave të Akademisë së futbollit të Dinamos të drejtuar nga Ilir Daja. Ndërkohë në stërvitjen e djeshme, me përjashtim të Igli Allmuçës, të gjithë të tjerët që kishin luajtur një ditë më parë në Sarandë nuk ishin të pranishëm, teksa kanë qenë pushim. Ndërkohë trajneri Rodenc Asllani ka punuar më së shumti me grupin e futbollistëve të rinj, shto këtu dhe të munguarit në ndeshjen me Butrintin për shkak të kartonëve.
Bëhet për fjalë për Thanën, Turdiun e Tafajin, të cilët do të jenë një forcë shtesë për ndeshjen me Pogradecin, të cilën dinamovitët kërkojnë ta fitojnë. Ajo që dihet është se ndeshja do të luhet të shtunën në stadiumin e Akademisë së Futbollit Internacional në Pezë-Helmës. Dhe stërvitja e vërtetë dhe e fundit për blutë në prag të kësaj ndeshje do të jetë sot në mëngjes.