Gjergj Vyshka 07.11.2014 19:50
ASNN – Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, në prag të sfidës me peqinasit, të cilën do ta luajë të shtunën në Stadiumin “Selman Stërmasi”, duket se është me “dhembje koke”. Ka ndodhur kështu, sepse pas Nertil Ferrajt, i cili është i skualifikuar me tre kartonë të verdhë, për sfidën me bardhekaltërtit nuk do të jetë as mbrojtësi i majtë Johan Duqi.
Në një nga seancat stërvitore të dy ditëve më parë, e cila është zhvilluar në fushat e minifutbollit të kompleksit të Pishinave në kryeqytet, mbrojtësi i bluve ka pësuar një dëmtim rrëzë kofshës së djathtë. Dhe duket se nuk është rikuperuar, ndërsa dhe në Berat ka munguar për shkak të kartonëve të verdhë. Në të tilla kushte, Dinamo dhe Mehmeti duhet të sajojnë plotësisht krahun e majtë si në mbrojtje, ashtu dhe në mesfushë.
Që do të thotë se duket se do të luhet me Arifajn dhe Imamim. Ndërkohë e keqja është se Dinamo është kthyer si një skuadër kalçetoje, ndërsa dhe dje ka bërë stërvitje në fushën e madhe të kompleksit “Fari”, në një kohë që në ish-kompleksin sportiv “Dinamo”, stërvitet Sopoti, Kukësi, apo dhe ekipe moshash. Në një farë mënyre, Dinamo do të jetë e kushtëzuar cilësisht në lojë nga fakti i stërvitjeve në kalçeto, por ky është fati i një skuadre, të cilën tashmë e kanë përzënë nga shtëpia.
Gjithsesi tifozët besojnë, në një kohë që “Blue Boys”, kanë lajmëruar që hyrja e tyre do të jetë falas, ndërsa do të jenë përpara stadiumit në ora 13:15. Dhe në 13:30 ata do të hynë në stadium. Të gjithë janë të bindur për fitore, por duke u stërvitur në kalçeto dhe duke pasur mungesa, Dinamo do ta ketë shumë të vështirë. Nëse realizohet kjo, atëherë të gjithë do të jenë heronj…