Gjergj Vyshka 27.12.2014 10:40
Senegalezi që luan në Arabinë Saudite duket se kërkon të rikthehet përsëri tek blutë. Administratori Saliaj e hedh poshtë këtë opsion:“Nuk kam folur dhe nuk merrem me të”. Papa Diob, i cili prej tre sezonesh është duke luajtur në Arabinë Saudite, duket se ka shfaqur dëshirën e tij për t’u rikthyer tek Dinamo. Me kryeqytetasit, jo vetëm që ka luajtur denjësisht, teksa ka fituar dy tituj “kampion” më 2007-2008 dhe 2009-2010, por dhe Superkupën e Shqipërisë më 2008-tën, por është afirmuar si lojtar.
Aq sa një periudhë luajti dhe me Shkumbinin. Me Dinamon mbahet mend për golat e tij në ndeshjen e kthimit me finlandezët e Lahtit në “Qemal Stafa”, në fitoren 2-0 në ndeshjen e kthimit. Madje dhe për shtyllën që goditi, kur mund të ishte shënuar dhe goli i tretë. Përveç Dinamos e Shkumbinit, në karrierën e tij, Diob ka luajtur në Senegal me ASC Zhan d’Ark. Kurse në Arabinë Saudite me Al Faisalin, në Irak me Erbil SC, në Jordani me Shabah Al-Ordon Klub.
Aktualisht, ai luan në Arabinë Saudite me Al Batan FC. “Insha’Allah në janar kthehem tek Dinamo. Jam duke biseduar dhe do të shohim”, – ka thënë shkurtimisht Diob. Në një kohë që drejtuesit e bluve, të paktën edhe sipas administratorit Ismet Saliaj, nuk e kanë në planet e tyre, sepse e njohin si një tip jo fort korrekt në marrëdhëniet e tyre. “Nuk kam folur dhe nuk ia vlen të merrem me të. Është histori e mbyllur për ne”, – ka thënë shkurt Saliaj.