Gjergj Vyshka 08.11.2014 08:45
Blutë u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen ndaj peqinasve të Shkumbinit. Tashmë është fakt i kryer që Dinamo do të ketë dy mungesa në fushën e lojës në përballjen e sotme me Shkumbinin në ora 14:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Që janë Ferraj me tre kartonë të verdhë dhe Duqi për arsye dëmtimi.
Në të tilla kushte, të paktën edhe sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, Rexhepi është zhvendosur në krahun e majtë të mbrojtjes, kurse Thana ka marrë rolin e qendërmbrojtësit së bashku me Shkallën. “Shiko, – thotë Saliaj, – nuk është problemi se kemi mungesa në krahun e majtë, sepse kemi lojtarë të aftë për atë pozicion si Arifaj, apo Imami.”
“Unë kam folur dhe me trajnerin dhe më ka shpjeguar se gjendja e skuadrës është e mirë, – ka vijuar ai. – Sigurisht që në fushën e lojës do të hyhet vetëm për një rezultat, që është fitorja ndaj Shkumbinit. E respektojmë skuadrën peqinase, por për objektivat që ka Dinamo, ndërsa kërkohet ngjitja në Superiore, duhet fitorja. Për të vazhduar kështu deri në fundin e fazës së parë dhe më tej. E më pas për të pritur janarin për ndryshime të reja në skuadër”. Ndërkohë për sfidën me peqinasit janë bërë gati të gjithë tifozët, të cilët, së bashku me “Blue Boys”, duket se do të jenë të shumtë në “Selman Stërmasi”.