Gjergj Vyshka 09.11.2014 08:35
Erald Turdiu “truri” i bluve të Mehmetit, tre golat e shënuar janë prodhim i tij. Peqinasit kanë kontestuar golin e parë të Imamit për pozicion jashtë loje. Dinamo është kryesuese e grupit të Jugut në Kategorinë e Parë. Fitorja e djeshme ndaj Shkumbinit në “Selman Stërmasi”, me tre gola të shënuar në portën peqinase, por dhe rezultatet e ndeshjeve të tjera, i kanë dhënë me meritë bluve të Mehmetit pozicionin e “mbretit” në Jug.
Një pozicion që Dinamo jo vetëm duhet ta kishte kapur prej kohësh, por dhe që duhet ta mbajë fort, gjithnjë nëse do të jetë në Kategorinë Superiore. Skuadra dje, të paktën në krahasim me ndeshjet e deritanishme të luajtura në “Selman Stërmasi”, përtej mungesave të Ferrajt e Duqit, ka qenë më mirë. Të paktën në aspektin sulmues, atje ku ka shënuar tre gola, ndërsa gjithçka ka ardhur e ndërtuar nga truri i skuadrës blu, Erald Turdiu.
“Buldozeri” i Dinamos dje nuk ka shënuar vetë, por ka shërbyer saktë, ndërsa kështu duket se po funksionon një tjetër model për blutë, që në fakt duhet të kishte ardhur prej javësh. E vetmja pikë e dyshimtë dje në skuadrën e Mehmetit ka qenë mbrojtja me tre e kushtëzuar nga mungesa e Duqit. Kthimi i Thanës si qendërmbrojtës kur është mesfushor shkatërrues, apo dhe pozicionimi i dy qendërmbrojtësve Shkalla e Rexhepi në të majtë e në të djathtë nuk duket se ka qenë pozitive.
Është gabuar në pasime, sidomos nga Thana, që edhe duke luajtur në mesfushës është mësuar që ta lëvizë topin vertikalisht e horizontalisht në një zonë jo të rrezikshmërisë maksimale. Dhe në një farë mënyre kundërshtari përfitoi, por që për fatin e mirë të bluve të Mehmetit, goli i Rezit jo vetëm që ka qenë një “kapak floriri”, por dhe ka mbyllur gjithçka, ndërsa Dinamo fitoi 3-1. Në kronologji, në minutën e 8-të, Lluca pas gjuajtjes me kokë e ka detyruar Lamellarin që të përveshë mëngët dhe të presë.
Më pas, në të 15-tën, Dinamo ka rrezikuar me një goditje dënimi në të djathtë të sulmit blu, atje ku ka gjuajtur Imami e Ajazi ka pritur. Në minutën e 36-të, Artur Magani ka tentuar nga distanca prej 20 metrash, por ka pritur Lamellari. Më pas në të 60-n minutë, Sorra ka nxjerrë në pozicion shënimi Turdiun, që duket se ka qenë i pafat, ndërsa Ajazi ka grushtuar. Dhe në të 78-tën, miqtë rrezikojnë prapë, kur Hasa ka gjuajtur fort me kokë, por Lamellari ka pritur.
Në përgjithësi, Shkumbini është përpjekur të ekuilibrojë ndeshjen me Dinamon, por ka hasur në një Lamellar të pakalueshëm. Ndaj dhe në fund trepikëshi ka qenë për blutë e Mehmetit.
Dinamo – Shkumbini 3-1
Shënues: Imami 45’, Arifaj 54’, Rezi 81’ / A. Magani 67’
Dinamo: Lamellari, Thana, Shkalla, Tafaj, Muça, Rexhepi, Arifaj, Sorra (Rezi 66’), Imami, Capa (Mezini 58’), Turdiu (Tragaj 85’). Trajner: D. Mehmeti
Shkumbini: Ajazi, Lluca, Meta, A. Magani, Turhani, Dervishi, Lundraxhiu (Shehu 80’), E. Magani, Sulkja (Sopjani 83’), Nexha (Hasa 66’), Kafazi. Trajner: I. Gjyla
Gjyqtarë: K. Cjapi, I. Llupi, E. Bega (Fier)
Kartonë të verdhë: Kafazi, E. Magani
Minutat e golave:
45’ Goditje dënimi për Dinamon në të djathtë të sulmit blu, Arifaj e ka hapur topin djathtas për Turdiun, i cili menjëherë ka pasuar tek Imami, që pas shpinës së mbrojtjes peqinase nuk është menduar dy herë, ka gjuajtur fluturimthi dhe ka shënuar. Peqinasit janë të gjithë tek anësori Llupi me në krye kapitenin Dervishi, por dhe sekretarin e klubit, Astrit Isai, të cilët kanë protestuar për pozicion jashtë lojë, jo pak, por gati tre metra sipas tyre. Por vendimi i Cjapit është i pakthyeshëm. 1-0
54’ Turdiu pasi ka shpërthyer nga e djathta e sulmit blu, ka krosuar për në zonën e rreptësisë peqinase, është zgjatur Sorra për të goditur, por Arifaj, që ka qenë pranë vijës “fatale” të portës së Shkumbinit, e ka shtyrë topin në rrjetë. 2-0
67’ Thana ka gabuar në pasim dhe Artur Magani, i shpejtë dhe nuhatës, ka ditur të përfitojë. E i vetëm përballë portierit Lamellari nuk ka falur, por ka shënuar. 2-1
81’ Turdiu e ka hedhur bukur topin për Rezin pas shpinës së mbrojtjes durrsake. Durrsaku, pasi ka fituar duelin e shpejtësisë me një nga mbrojtësit e Shkumbinit, përballë Ajazit nuk ka gabuar në goditjen e tij. 3-1