Gjergj Vyshka 05.02.2015 18:15
Dinamo i ka bërë pesë lojtarët e ardhur nga tregu i lëvizjeve dimërore. Pas Kotorrit, Allmuçës, Xhafajt dhe Turtullit, që nga dita e djeshme është bërë pjesë e dinamovitëve dhe Fatmir Hysenbelliu. Mesfushori që ka luajtur për disa skuadra në Kategorinë Superiore e jo vetëm kaq, të paktën edhe sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, do të jetë një ndihmë e madhe në skuadër për qëllimin final që Dinamo ka, që është ngjitja në Superiore.
E vërteta është se Dinamo ka mbipopullim në mesfushë. Numërohen si titullar Imami, Ferraj, Thana, Allmuça, Capa, Arifaj, Tafaj, Milushi. Pra janë gati tetë-nëntë futbollistë për vendin e titullarit në formacionin e Mehmetit, kurse se ardhja e Hysenbelliut duket se i shton më shumë dilemat e trajnerit të Dinamos se kë duhet të heq. Pa thënë që me uljen e dikujt në bankinë dhe aktivizimin e Hysenbelliut duket se shtohen të pakënaqurit, gjë për të cilën Dinamo nuk ka nevojë.
Mirëpo Dinamo e ka bërë zgjedhjen e tij, ndërsa Hysenbelliu ka luajtur me Tiranën, Partizanin dhe Teutën, ndërsa përgjatë kësaj periudhe ka qenë edhe tek Kastrioti, pa thënë që ka bërë dhe provë në Austri. Jo vetëm kaq, por ka qenë në provë edhe tek Bari, Totenhemi e Fulhami. “Ka firmosur me ne deri në fund të sezonit. Shpresojmë që të na ndihmojë që të ngjitemi në Superiore”, – ka thënë Saliaj, kurse Hysenbelliu tashmë është bërë pjesë e bluve.