AlbanianSport.com 09.01.2015 19:10
Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, i ka vlerësuar dy ardhjet e fundit, që janë dy kampionë për blutë e tij si Daniel Xhafaj dhe Igli Allmuça. Por më së shumti ka vlerësuar ardhjen e Xhafajt, i cili është një garanci më shumë për sulmin e bluve.
“Me ardhjen e Xhafajt kemi zgjidhur një problem shumë të madh në sulm, – ka pohuar trajneri i bluve kryeqytetas. – Kurse për Allmuçën vlerësoj eksperiencën, ndërsa besoj se do të jetë një trajner i dytë në fushën e lojës.”
“Që do të thotë se duhet të jetë ai që duhet ta marrë përdore skuadrën për ta çuar përpara. Them se jemi plotësuar”, – ka shtuar Mehmeti, i cili të shtunën e ka lënë të bëjë një ndeshje kontrolli brenda familjes, ndërsa nga e mërkura pritet të fillojnë dhe miqësoret.
Ndërkohë në skuadër është kthyer dhe mesfushori i majtë, Nertil Ferraj, kurse kështu pa asnjë largim të madh Dinamo është më e plotë se kurrë që në ditën e katërt të periudhës përgatitore dimërore.