Gjergj Vyshka 01.02.2015 13:45
Trajneri Mehmeti: “Ndeshja me Lushnjën nuk vendos për fatet e ngjitjes në Superiore”. Në përfundim të ndeshjes miqësore me Korabin, e cila ka qenë e fundit për periudhën përgatitore dimërore, trajneri i bluve, Dritan Mehmeti, do të shpjegonte se ka pasur dhe dëmtime.
“Ne kemi zhvilluar një ndeshje miqësore me tre mungesa, – ka thënë ai. – Turtulli, i cili ka ardhur nga një kohe e gjatë jo aktivizimi, por duke i shtuar dhe grumbullimin me Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve, thuajse nuk e dimë në çfarë gjendje është. Ndaj dhe duhet parë.”
“Thana ka një dëmtim në këmbë, kurse Tafaj ka qenë me grip, – ka vijuar trajneri blu. – Pra do të thotë që gjatë miqësores me Korabin kemi pasur mungesa. Megjithatë më duhet të them që në krahasim me skuadrat e tjera të grupit mendoj se kemi organikë të plotë me emra.”
“Ajo që duhet të rrisim është agresiviteti, si në sulm, ashtu dhe në mbrojtje, – ka këmbëngulur ai. – Nuk mendoj se ndeshja me Lushnjën e ndan fatin për në Kategorinë Superiore. Unë do të isha i kënaqur po ta fitoja atë ndeshje dhe me këtë qëllim do ta përgatis skuadrën.”
“Por megjithatë dhe barazimi duhet konsideruar rezultat pozitiv. Gjithsesi kemi dhe një javë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.