Gjergj Vyshka 22.11.2014 18:35
Blutë kanë bërë përgatitjet e tyre të fundit për ndeshjen e vështirë në Stadiumin “Adush Muçaj” të Ballshit. Trajneri: “Nuk kanë pse të na paragjykojnë, sepse shtyrjen e ndeshjes për të dielën s’e ka kërkuar Dinamo”. I pari i pankinës së Dinamos, Dritan Mehmeti, nuk mendon asnjë rezultat tjetër përveçse fitores në Ballsh, ndonëse është një ndeshje e vështirë përballë një skuadre, e cila ka dhe përvojën e të luajturit në Kategorinë Superiore.
“Ne e pamë ndeshjen Tirana-Bylis, atje ku skuadra ballshiote ishte me lojtar të rinj. Është e vërtetë që kanë luajtur ashpër dhe ne kësaj i druhemi, ndonëse do të luhet pa tifozë dhe gjykimi mund të jetë më i drejtë. Gjithsesi unë nuk shoh fare asnjë anë. Ne jemi të interesuar që nga Ballshi të dalim të fituar, sepse vetëm kështu mund të ruajmë kryesimin dhe vazhdojmë rrugën tonë drejt Kategorisë Superiore”, ka thënë Mehmeti, i cili ka treguar se skuadra e tij nuk duhet të paragjykohet nga askush për shtyrjen e ndeshjes të dielën.
“Pasi nuk jemi ne që kemi kërkuar shtyrjen e ndeshjes, – ka vijuar trajneri i Dinamo, Dritan Mehmeti. – Përkundrazi luajtja e kësaj ndeshje të dielën na prish ciklin javor, sepse edhe duke pasur një ndeshje të rëndësishme të shtunën e ardhshme ndaj Butrintit i bie që skuadra të mos pushojë. Ne kemi punën tonë, së bashku dhe me kundërshtarin që do të kemi përballë. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të marrim trepikëshin.”
Ndërkohë Dinamo ka dhe një seancë stërvitore të shtunën, ndërsa të dielën do të udhëtojë drejt Ballshit për të luajtur ndeshjen në ora 14:00. Formacioni i mundshëm i Dinamos, i kthyer tashmë në skemën taktike 4-4-2 do të jetë: Lamellari – Tafaj, Rexhepi, Shkalla, Duqi – Rezi, Muça, Thana, Imami – Capa, Turdiu. Përgjithësisht situata duket normale në prag të përballjes me Bylisin, ndërsa mungon vetëm Ferraj pas debateve që ka pasur me ndihmëstrajnerin Uku. Dhe tashmë dinamovitët janë të gjithë të përqendruar të sfida me ballshiotët.