Gjergj Vyshka 28.01.2015 13:15
Marvin Turtulli, qendërmbrojtësi i cili ka ardhur nga Teuta tek Dinamo në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, tashmë është bashkuar me skuadrën. Për rreth një javë ai ka qenë pjesë e “zborit” stërvitor që kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë ka bërë në Turqi, atje ku luajti dhe tre ndeshje miqësore.
Në të tre ndeshjet Turtulli është aktivizuar nga trajneri Gega, ndërsa tanët janë mundur 1-2 nga Irani, 0-2 nga Ukraina, 0-4 nga Nën-23-vjeçarët e Kinës. Dhe dje Turtulli ka dalë në stërvitje me blutë, ndërsa është dëmtuar lehtë në kavilje. “Unë e shoh Dinamon mirë dhe më jep shpresë se do të jemi në Kategorinë Superiore”, – ka thënë Turtulli.
Blutë e drejtuar nga trajneri Dritan Mehmeti dje kanë bërë stërvitjen e dytë të javës së fundit të periudhës përgatitore dimërore, ndërsa duket se sot nuk kanë parashikuar ndeshje miqësore. Kuptohet për ta mbyllur të shtunën periudhën përgatitore me miqësoren ndaj Korabit në kompleksin blu.
Dhe me Turtullin e kthyer nga Nën-21-vjeçarët tashmë dhe skuadra e Mehmetit do të jetë më e plotë. Që do të thotë se në miqësoren ndaj dibranëve kryesues të grupit të Veriut në Kategorinë e Dytë do të ketë një formacion tip për ndeshjen e 7 shkurtit 2015 në “Roza Haxhiu” ndaj Lushnjës.