Gjergj Vyshka 11.10.2014 07:55
Shënohen tre gola, por trajneri Mehmeti e ka përsëri problem finalizimin para portës. Blutë kanë ende pikëpyetje për atë që do të paraqesin javën e ardhshme ndaj Sopotit. Dinamo ka gjetur qetësinë e munguar në Kamëz pas barazimit të papritur ndaj Naftëtarit të shtunën e kaluar në “Selman Stërmasi”.
Blutë kanë shënuar tre gola, teksa kanë qenë më superior se sa kamzalinjtë e Fatjon Tafajt, ndërkohë që Mehmeti ka ende ankesa për mungesën e finalizimi të rasteve për shënim, veçanërisht në pjesën e parë. Dinamo, për hir të së vërtetës duhet pranuar se, ka pasur dhe mungesa, teksa nuk kanë qenë të pranishëm pesë titullarë.
Bëhet fjalë për Nertil Ferrajn, Besmir Arifajn, Arbër Capën, Ergys Sorrën dhe Erjon Xhafën, të cilët kanë pasur probleme dëmtimesh. Për rrjedhojë, kreu i pankinës së bluve është detyruar të bëjë modifikime në formacion. E jo vetëm kaq, por dhe në vendosje, ndërsa me kthimin e skemës taktike 4-4-2, Dinamo ka qenë më e zhdërvjelltë në fushë.
Para Turdiut në sulm, ka qenë Rezi. Shkalla ka plotësuar vendin e Thanës në qendër të mbrojtjes me Rexhepin. Ka ndodhur kështu, sepse Thana ka bërë dyshen e qendrës së mesfushës së bashku me Muçën. Jo vetëm kaq, por në vend të Tragajt, që e ka nisur lojën nga stoli, ka qenë i riu Mezini, kurse Imami ka qenë në pozicionin e Ferrajt në të majtë të mesfushës.
Pra dublimet e roleve duket se kanë sjellë qetësi dhe për trajnerin Mehmetit, që kështu e ka të plotësuar skuadrën në kualitete.