Nga Gjergj Vyshka 11.01.2015 16:35
Është e vështirë të thuhet se si do të ishte një formacion ideal për Dinamon. Ajo që vihet re është fakti se dyshja e qendrës në mbrojtje mes Turtullit e Shkallës është e sigurt, ashtu sikurse dhe krahët me dyshet Rexhepi apo Tragaj-Tafaj në të djathtë dhe Imami e Ferraj në të majtë.
Megjithëse Rexhepi është menduar si një zëvendësues i denjë i Duqit në të majtë të mbrojtjes dhe nëse ndodh kështu spostohet Imami në krah e Ferraj futet më në qendër të mesfushës së bashku me Allmuçën. Problemi i madh duket mesfusha. Me ardhjen e Allmuçës janë bërë tre mesfushor me tipare shkatërruese.
Jo vetëm kaq por duket se vihet në diskutim një pozicion i mbështetjes së sulmuesve nga pas mes Arifajt e Capës. Pa thënë që me Imamin e Ferrajn në krahun e majtë, Bilibashi nuk duket s’e del më titullar. Për dyshen sulmuese, gjithmonë si ideale, do të ishte Xhafaj-Turdiu.
Por në mungesë të Tafajit në krahun e djathtë të mesfushës, gjë që është normale në një kampionat ku janë për t’u luajtur 16 ndeshje, atëherë Rezi apo Turdiu mund të bëjnë mesfushorin e djathtë dhe njëri prej tyre sulmuesin e dytë pranë Xhafajn.
Parë kështu, realisht me dy formacione, por ende të pa stabilizuar dhe me shumë dilema për t’u zgjidhur, Dinamo deri më 7 shkurt kur do të luajë përballë Lushnjës ka kohën në dispozicion për të gjetur idealen.
Të gjitha këto ardhje, ndonëse trajneri Mehmeti mendon se duhen dhe disa përforcime të tjera, kanë pasur një të mirë, rritjen e konkurrencës brenda skuadrës për një vend titullari.