Nga Gjergj Vyshka 24.11.2014 18:55
Ballshiotët gjejnë fitoren në kampionat pas pesë javësh, kurse suksesi vjen në fushën e vet pas 11 muajsh. Edhe pa tifozë në “Adush Muçaj”, blutë e Mehmetit e kanë të vështirë të rivalizojnë. Bylisi i ka vënë frenat Dinamos, e cila edhe në një stadium të boshatisur nga tifozët, kjo pas vendimit të Komisionit të Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit, e ka të vështirë të rivalizojë dhe të marrë më pas pikë.
Ajo që duhet pranuar është fakti se dinamovitët me dy rezultate në xhep, pra fitoren dhe barazimin, do të ishin përsëri kryesues. Por nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra dhe kjo është meritë e padiskutueshme e skuadrës së Roland Nenajt, e cila me shumë maturi e gjakftohtësi ia ka dalë të jetë fituese në këtë supersfidë të grupit të Jugut. Madje ajo që duhet theksuar është fakti se blutë, përtej humbjes, kanë marrë me vete dhe kusuret për ndeshjen e ardhshme ndaj Butrintit në “Selman Stërmasi”.
Pasi Muça, i cili ka marrë kartonin e tretë të verdhë në Ballsh, dhe Turdiu, që në 15 minutat e fundit të ndeshjes e ka lënë skuadrën me dhjetë futbollistë, kjo për shkak të kartonit të kuq në të 76-n minutë, nuk do të jenë në sfidën ndaj sarandjotëve. Që do të thotë se kjo humbje në Ballsh me dy mungesat e mësipërme do të jetë as më pak e as më shumë, pa dashur të paragjykojmë, gati-gati 6 pikë më pak për Dinamon.
E vërteta është se ballshiotët, mbështetur fort në treshen Aliaj, Gega dhe Dervishi, kanë shkaktuar probleme për skuadrën dinamovite. Ata kanë lëvizur shumë në mesfushë dhe kundërshtari i tyre e ka pasur të vështirë për t’i mbuluar. Për rrjedhojë janë hapur hapësirat për të goditur në portën e mbrojtur nga Lamellari. Përgjithësisht ka qenë një lojë e fortë dhe me ndërhyrje të ashpra në mesfushë.
Kështu, Bylisi kthehet tek fitorja pas pesë javësh, ndërsa në “Adush Muça” suksesi rikthehet pas 11 muajsh. Për dinamovitët kjo ka qenë humbja e parë e të paktën blutë nuk duan ta bëjnë dramë përpara ndeshjes me Butrintin. Mirëpo kartoni i kuq i Turdiut dhe e verdha e tretë e Muçës si asnjëherë tjetër këtë sezon do ta kthejnë skuadrën e Mehmetit më shumë se sa të arnuar.
Që do të thotë se në Ballsh ka qenë një humbje me shumë kusure nga pas.