Gjergj Vyshka 11.10.2014 12:55
Dinamo edhe duke pasur më tepër autoritet në fushën e lojës se sa Kamza është gjithnjë përpara në sulm në miqësoren e djeshme. Veçse për të ardhur tek goli i Turdiut janë humbur një sërë rastesh për shënim. Sejdini ka shmangur golin në minutën e 3-të, pas gjuajtjes së Rezit dhe në të 13-n e në të 31-tën, pas goditjes së Turdiut.
Por gjithashtu kanë qenë të pasaktë në shënjestrën e tyre edhe Turdiu në minutën e 16-të, Rezi në të 22-n dhe Shkalla në të 29-n. Megjithatë Turdiu e ka gjetur golin e avantazhit, që më pas është pasuar dhe nga goli i të riut Shkalla në të 42’. Në pjesën e dytë janë bërë shumë zëvendësime, ndërsa Tahiraj, në minutën e 73-të, ka nxjerrë në pozicion shënimi Rezin, që nuk ka gabuar.
Ka një anulim goli për Dinamon, kurse në fundin e lojës, Guga ka pritur 11-metërsh. Për t’u shënuar është loja e rëndë e Kamzës në pjesën e dytë, atje ku Kaimi nuk ka kursyer as Dokun e as Zunën. Dhe kësisoj Dinamo ka fituar 3-0. Mirëpo kthimi i Turdiut deri në thellësi të mesfushës dinamovite për të marrë topin, apo dhe mungesa e shpërthimit të Tafajt në krahun e djathtë janë dy gjëra që duhen rregulluar.
Sepse manovra e sulmit të Dinamos ka nevojë për më shumë shpejtësi. Sa për Kamzën, duket se ka ende për të rregulluar në lojën e saj për të mos qenë gjatë gjithë sezonit një skuadër që luan për mbijetesë në Kategorinë e Parë.