Gjergj Vyshka 03.03.2015 07:55
Dinamo çështjen e trajnerit, nëse do të jetë përsëri Dritan Mehmeti ashtu sikurse ka kërkuar dhe ka këmbëngulur administratori i bluve, Ismet Saliaj, apo ndonjë tjetër, e ka lënë ta diskutojë pas ndeshjes të së mërkurës me Butrintin vendës.
Sigurisht që me tre mungesa për shkak të kartonëve, që janë Tafaj, Turdiu dhe Thana, me Xhafajn ende jo në kondicionin e tij më të mirë për të ndihmuar Dinamon në objektivat e saj, blutë duket se do ta kenë më shumë se sa të vështirë.
Megjithatë ndihmëstrajneri i bluve, Rodenc Asllani, dje në mëngjes ka nisur përgatitjet me blutë për ndeshjen ndaj Butrintit. Seanca e fundit stërvitore do të zhvillohet sot në mëngjes.
Ndërsa pasdite, në ora 15:30, dinamovitët do të udhëtojnë drejt Sarandës, atje ku dhe do të kalojnë mbrëmjen e së martës për të qenë sa më gati për këtë sfidë. Nuk duhet harruar që sezonin e kaluar, Butrinti ka fituar me shumë vështirësi ndaj Dinamos në Sarandë, 1-0, pas golit të shënuar në minutën e 85-të.
Kështu që nisur nga ky fakt, apo dhe nga pesha e rëndë e fanellës dinamovite, administratori Saliaj beson dhe thotë: “Shanset i kemi dhe do t’i luajmë ato në Sarandë, edhe pse mund të duket një mision i pamundur”.