Gjergj Vyshka 02.12.2014 14:20
Dinamo ka nisur përgatitjet e saj për ndeshjen e radhës në fushë të huaj me Pogradecin, e cila shënon dhe fundin e fazës së parë. Barazimi me Butrintin në minutat e fundit duket se ka lënë një shihje të hidhur tek blutë. Por megjithatë, të paktën edhe sipas mesfushorit Arbër Capa, i cili të shtunën ka realizuar një eurogol, Dinamo nuk ka dalë nga objektivat e saj. “Vërtetë ndihemi keq, sepse na kanë barazuar në minutat e fundit”, – ka deklaruar ai.
“Aq më tepër që edhe rezultatet ishin në favorin tonë, ndërsa duhet të kishim nisur shkëputjen dhe thellimin e diferencës së pikëve me kundërshtarin, – ka vijuar mesfushori i bluve kryeqytetas. – Mungesa e vëmendjes është totale, sepse goli nuk duhet të ishte pësuar. Por jemi ende në garë.” Më pas, me të qeshur, për golin e tij Capa do të deklaronte: “Hera e parë që bëj një gol të tillë”. Ndeshja e radhës është në Pogradec, skuadër e cila vjet e ka frenuar Dinamon në “Gjorgji Kyçyku”, teksa e pati mundur 3-1.
Megjithatë, ndërsa Dinamos i kthehen Turdiu e Muça, por do t’i mungojë Thana. “Jemi mësuar tashmë me këto mungesa, ndërsa gjyqtarët duket se e kanë më të lehtë për të na ndëshkuar neve. Megjithatë kemi një ndeshje të vështirë ndaj Pogradecit. Është një fushë që të lësh të luash futboll dhe ne shpresojmë në më të mirën”, – ka përfunduar Capa.
Ndërkohë administratori i bluve, Ismet Saliaj, ka pasur një bashkëbisedim me drejtorin e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, teksa i ka kërkuar orarin e stërvitjes në 11:00, në kushtet kur duket se Sopoti nuk do të vazhdojë më të stërvitet në kryeqytet. Ose të paktën në ish-kompleksin Dinamo. Situata duket e qetë dhe normale në kampin blu, të gjithë në përgatitje për ndeshjen ndaj Pogradecit.