Gjergj Vyshka 30.11.2014 16:35
Dinamovitët humbasin shansin e artë për t’u ngjitur përsëri në krye të grupit të Jugut. Eurogoli i mesfushorit dinamovit është prishur në fundin e ndeshjes nga sulmuesi i Butrintit. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka deklaruar: “Është e pafalshme që në të vetmin moment që kundërshtari ka ardhur në portën tonë na ka ndëshkuar. Kemi bërë një ndeshje të mirë, që edhe pse me mungesa e kemi administruar në mënyrë perfekte.”
“Butrinti ka luksin që luan me tre sulmues të Superiores, kurse ne jemi të detyruar të përballojmë dhe mungesat, – ka vijuar trajneri i bluve. – Të jeni të sigurt se sikur sot të ishte Turdiu ne do ta kishim mundur këtë skuadër. Megjithatë i falënderoj djemtë për atë që dhanë në fushë. Më duhet të them që vazhdojmë të ndëshkohemi dhe atëherë kur nuk bëjmë gjë. Dhe kjo nuk është normale, sepse nuk kemi skuadër që luan ashpër. Megjithatë do ta vazhdojmë kampionatin normalisht.”
Ndërsa trajneri i Butrintit, Mustafa Hysi, ka deklaruar: “Është e vërtetë që për mënyrën se si u zhvillua ndeshja rezultati më i drejtë ishte barazimi. Është risi për Butrintin që vjen në Tiranë dhe luan me tre sulmues. Jemi ndëshkuar nga një goditje dënimi që për mua nuk ishte e tillë, por që kemi ditur të reagojmë. Ne ndeshjet do t’i marrim një e nga një e gjithnjë objektivi jonë është të kërkojmë kreun e renditjes. Sepse qëndrimin në Kategorinë e Parë Butrinti e siguron në çdo kohë. Është kampionati i vështirë, megjithatë hap pas hapi shpresoj që t’ia arrijmë objektivit. Sot jam i kënaqur nga ajo që dha skuadra në fushë.”