Gjergj Vyshka 30.11.2014 13:55
Arbër Capa për Dinamon dhe Jasmin Raboshta për Butrintin kanë vulosur paqen në “Selman Stërmasi” në një ndeshje që për mënyrënse si u zhvillua e meritonte rezultatin e barabartë. Ajo që duhet pranuar është fakti se Dinamo, nisur dhe nga rezultatet e ndeshjeve të tjera të javës së tetë të grupit të Jugut, ka humbur shasin e artë për t’u rikthyer në krye të këtij grupi. Ndërkohë që ndryshe nga sa pritej, Butrinti nuk ka qenë aq i frikshëm me 3-dhëmbëshin Dhrami-Raboshta-Mustafaji, ndonëse të tre janë sulmues të Superiores.
Por sarandjotët kanë goditur atëherë kur për Dinamon gjithçka kishte përfunduar. Blutë kanë vuajtur mungesat në fushë, veçanërisht të sulmuesit Turdiu, kurse Rezi e kishte të vështirë ta tërhiqte i vetëm skuadrën drejt portës mike. Dinamo edhe duke e ditur se kishte përballë 3 sulmues të shpejtë, ka luajtur gati me 5 mbrojtës. Sepse përkrah treshes Rexhepi-Shkalla-Duqi, edhe mesfushorët e krahëve, Tafaj në të djathtë dhe Imami në të majtë bëheshin mbrojtës. E ndoshta kjo rendje e tyre për të forcuar mbrojtje ka ulur agresivitetin e lojës në krah.
Gjithsesi Dinamos i janë dashur 11 minuta për të regjistruar gjuajtjen e parë në portën kundërshtare, e cila ka ardhur nga Thana, por Haxho ka pritur. Dinamo ushtron presion, ndërsa në të 15-të dhe në të 17-n, si Tahiraj, ashtu dhe Imami kanë gabuar në shënjestrën e tyre. Një tjetër moment i mirë për blutë ka ardhur në minutën e 22-të, Tahiraj e ka hedhur topin në thellësi të mbrojtjes mike, thuajse pas shpinës së tyre, Shkalla gjuan me kokë, por pret Haxho. Një minutë më vonë tenton Rezi me kokë, por sërish pret portieri i Butrintit.
Butrinti e ka të vështirë të çajë përpara, sepse Dinamo luan me forca të shumta në mbrojtje e në mesfushë. Por në minutën e 36-të, Dhrami i vetëm me Lamellarin nuk ka ditur të shënojë dhe këtu vjen fundi i pjesës së parë. Dinamo është më e lëvizshme pjesën e dytë. Luhet si me krahët, por dhe shfrytëzohen mirë goditjet standarde, por goli nuk del në dritë. Portieri Haxho ka shmangur fillimisht pësimin e golit në goditjen e dënimit nga Capa në të 62-n, më pas në gjuajtjen e Rezit në të 71-n, apo dhe goditjen e Tahirajt në të 74-n minutë.
Por nuk ka mund të bëjë dot asgjë në minutën e 83-të, teksa Capa ka ekzekutuar mjeshtërisht një goditje dënimi nga rreth 20 metra dhe topi ka përfunduar në të djathtë të portierit Haxho. Butrinti nuk e ka humbur toruan dhe në një kundërsulm të shpejtë, në minutën e 90-të, Raboshta, si një sulmues race ka ndëshkuar. 1-1 dhe ky ka qenë rezultati përfundimtar i ndeshjes në vërshëllimën e fundit të Remzi Sadikut. Mërziti në kampin blu, si dhe gëzim tek sarandjotët.
Dinamo – Butrinti 1-1
Shënues: Capa 83’ / Raboshta 90’
Dinamo: Lamellari, Duqi, Shkalla, Thana, Arifaj, Rexhepi, Imami, Tahiraj (Sorra 77’), Rezi, Capa (Mezini 89’), Tafaj. Trajner: D. Mehmeti
Butrinti: Haxho, Xhuvani, Malaj, Aleksi, Alzeneli, Rapa, Mustafaj, Muço, Dhrami (Rugji 57’), Raboshta, Allmeta (Xhibro 82’). Trajner: M. Hysi
Gjyqtarë: R. Sadiku, A. Mahmuti, E. Sinani (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Thana, Capa, Tafaj / Malaj, Raboshta, Allmeta