Gjergj Vyshka 19.02.2015 12:25
Edhe dje, Dinamo ka përfituar nga fakti që Kukësi ka qenë i angazhuar në ndeshjen e kthimit të turit çerekfinal i Kupës së Shqipërisë. E për rrjedhojë është stërvitur në ora 13:00 në fushën me bar artificial të ish-kompleksit blu.
Në skuadrën e trajnerit Dritan Mehmeti duket se tashmë po kthehen edhe të munguarit në sfidën me Tomorin, e cila u luajt në fushën me bar artificial të kompleksit të Akademisë së futbollit Internacional në Pezë-Helmës.
Kështu pas Arifajt, që në përballjen me beratasit mungoi për shkak të tre kartonëve të verdhë, tashmë do të kthehet dhe qendërmbrojtësi Turtulli. Lojtari i ardhur nga Teuta pas kthimit nga zbori stërvitor në Antalia me Shpresat, ka pasur një dëmtim në kavilje.
Por jo vetëm kaq, të paktën edhe sipas shpjegimit të tij, dëmtimi më pas ka kaluar në kofshë. “Megjithatë, – thotë Turtulli, – unë tashmë e kam kaluar dëmtimin. Kam nisur stërvitjen me kohë të plotë e jam gati për skuadrën në çdo kohë kur të kërkojë trajneri.”