Gjergj Vyshka 28/11/2014 09:20
Të besuarit e Mehmetit, pa Muçën dhe Turdiun, kërkojnë maksimumin nga ndeshja. Por blutë i tremben tridhëmbëshit të sulmit sarandjot Rraboshta-Mustafaji-Dhrami. Dinamo ka nisur të projektojë anti-Butrintin, ndërsa për blutë e Mehmetit, të cilët si alternativë të vetme kanë fitoren për të qenë përsëri kryesues të grupit të Jugut, gjithçka luhet në kushtet ekstreme të pamundësisë.
Mungesat e Muçës me tre të verdha në mesfushë, apo dhe e Turdiut në sulm, i cili është ndëshkuar në ndeshjen me Bylisin me karton të kuq, duket se kanë prishur të gjitha planet e teknikut dinamovit për një formacion stabël edhe në këtë përballje me sarandjotët. Në mungesë të tyre ka dhe zhvendosje të lojtarëve nëpër pozicione, ndërsa duhet nënvizuar rikthimi pas një kohe të gjatë qëndrimi në stol, i Tragajt si mbrojtës i djathtë, Dinamo ka vendosur ta përballojë Butrintin me një skemë taktike 4-4-1-1.
Që do të thotë: Lamellari – Tragaj, Rexhepi, Shkalla, Duqi – Tafaj, Thana, Arifaj, Imami – Capa – Rezi. Ajo që duhet se krijon më tepër probleme do të jetë “tredhëmbëshi” i sulmit sarandjot, që përbëhet nga Rraboshta, Mustafaji dhe Dhrami. Ky i fundit ka luajtur për herë të parë me fanellën e Butrintit të shtunën e kaluar në Peqin ndaj Shkumbinit vendës, kurse dy të tjerët kanë qenë mungesa.
Kështu që kthimi i këtyre të treve në sulmin sarandjot, apo dhe formacioni i plotë i Butrintit përballë njëmbëdhjetëshit të copëtuar të Dinamos duket se krijon një farë stepje, apo dhe një farë frike. Sepse Butrinti nuk mund të jetë një kundërshtar i lehtë për blutë, aq më tepër që ashtu sikurse kryeqytetasit edhe sarandjotët kërkojnë ngjitjen e tyre historike në Kategorinë Superiore.
Duhet kujtuar që edhe sezonin e kaluar, Dinamo ka fituar me shumë vështirësi ndaj Butrintit, 1-0, pas golit të qendërmbrojtësit Turtulli në të 25’. Pritet një ndeshje interesante, aq më tepër që do të ketë dhe tifozeri. Madje ultrasit e Dinamos, “Blue Boys”, kanë ditë që kanë bërë thirrje për sa më shumë tifozë. Sepse sipas tyre jo vetëm që skuadra ka nevojë për ta, por mungesat në këtë ndeshje nuk janë të justifikueshme për askënd.
Pasi e kanë quajtur ndeshjen e vitit. Ndaj dhe dinamovitët edhe duke përgatitur anti-Butrintin duket se po e kërkojnë suksesin me çdo kusht në kushtet ekstreme të pamundësisë.