Gjergj Vyshka 21.01.2015 08:55
Dinamo duket sikur nuk ka ndërmend të luajë qoftë dhe një ndeshje me formacion të plotë. Nëse deri përpara ndeshjes me Sopotin, e cila është fituar nga blutë e Faruk Sejdinit, 1-0 në Kavajë, ishin tre lojtarë të pezulluar për shkak të kartonëve, tashmë tjetër situatë.
Këtë herë, të paktën siç dhe ka konfirmuar për “Gazeta e Sportit”, administratori i bluve, Ismet Saliaj, nuk do të jetë i gatshëm sulmuesi Erald Turdiu. Turdiu ka marrë një goditje në kërcirin e këmbës në ndeshjen e së shtunës së kaluar, e cila ka kaluar në inflamacion dhe si e tillë ka dhënë dhe temperaturë për lojtarin.
Në fakt futbollisti gjatë ditëve ka kaluar dhe një gjendje gripale, e cila së bashku me dëmtimin në këmbë nuk e ka lejuar që të stërvitet normalisht me skuadrën. Për rrjedhojë, dinamovitët e kanë llogaritur si mungesë këtë ndeshje, ndërsa Sejdini dhe stafi i tij duhet të mendojë për një sulm ndryshe, pa thënë tërësisht i sajuar.
Kjo sepse Dinamo, për hir të së vërtetës duhet pranuar se, gjatë gjithë këtij sezoni asnjëherë nuk ka luajtur me sulmues “race”.