Gjergj Vyshka 27.12.2014 20:45
Dinamo ka nisur zyrtarisht pushimet për t’u kthyer të hënën e 5 janarit, në ora 11:00, në fushën me bar artificial të ish-kompleksit të vet. Ka ndodhur kështu, kjo të paktën edhe sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, sepse në stërvitjen e djeshme, e cila ka ardhur menjëherë pas festimit të Krishtlindjeve, ka pasur mungesa.
“Ndaj, – thotë Saliaj, – së bashku dhe me trajnerin Mehmeti kemi vendosur që më 5 janar të nisim zyrtarisht përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit. Për të gjithë këtë periudhë të gjithë lojtarëve u është dhënë urdhër që të merren me vrapime individuale rreth Kodrave të Liqenit në mënyrë që të ruajnë formën dhe të jenë sa më të gatshëm kur të nisi stërvitja”.
Në këto kushte, më 5 janar mund të mësohen dhe të rejat e lëvizjeve të futbollistëve, ndërsa Dinamo ka shprehur pesë dëshirat e saj që janë Dita e Turtulli nga Teuta, Marku nga Vllaznia, Greca nga Tërbuni dhe Xhafaj. Me pozicionimin në vendin e dytë dhe me vetëm një pikë larg kreut të renditjes në Grupin e Jugut, Dinamo është plotësisht e gatshme për të sfiduar dhe për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Dhe themeli i gjithçkaje është ndeshja e 7 shkurtit në “Roza Haxhiu” mes Lushnjës dhe bluve të Mehmetit.