Gjergj Vyshka 08.02.2015 08:25
Pogradeci vazhdon të jetë makthi i bluve, triumfon dhe rikthehet në lojën për mbijetesë. Blutë kanë tentuar deri në fund të shpëtojnë nderin, por Allmuçën e ndal trau i portës. Dinamo është në krizë rezultatesh, ndërsa e ka humbur sensin e të fituarit të një ndeshje. E kjo po bëhet kohë e gjatë, ndërsa me humbjen e djeshme me Pogradecin, një kundërshtar që prej tre vjetësh në Kategorinë e Parë jo vetëm që ia ka marrë dorën Dinamos, por dhe është kthyer për të si një “mace e zezë”, blutë kanë hyrë në luftën për mbijetesë.
E kanë nisur pjesën e parë me një epërsi territoriale, ndërsa me shpërthimet e Ferrajt dhe Imamit në të majtë, apo dhe Tragajt e Tafajit në të djathtë, blutë mundohen të vënë në lëvizje Turdiun përpara portës kundërshtare. Megjithatë nuk janë krejt të pastër në rastet e tyre për shënim. Serinë e goditjeve të rrezikshme në portën kundërshtare e ka nisur Pogradeci, teksa në minutën e 9-të, Topllari ka gjuajtur në ecje e sipër, nga rreth 30 metra, por pret Kotorri. Është kundërpërgjigjur Turdiu në të 24-n minutë, pas topit të ardhur nga Tragaj, por ka pritur Miraka.
Sërish në fundin e pjesës së parë ka tentuar Rexhepi, por ka pritur Miraka. Pjesa e dytë ka nisur me një gjuajtje Turdiu që pritet nga Miraka, Dhe në kundërsulm, pas krosit të ardhur nga e majta e sulmit liqenor, Shkalla në tentativë për të larguar rrezikun ka shënuar në portën dinamovite. Dinamo demotivohet dhe në minutën e 59-të, vjen dhe goditja e dytë e liqenorëve, atje ku Topllari mes tre mbrojtësve dinamovit ka gjuajtur dhe ka shënuar. Dinamo nuk ka më se çfarë të humbasë dhe është me të gjitha forcat në sulm.
Dhe kështu fitohet 11-metërshi, i cili, i shndërruar në gol nga Allmuça në të 68-tën minutë, ka ndezur shpresat e bluve për barazim. Madje kapiteni i dinamovitëve do të bëhet shtysë për të rrezikuar në portën e mbrojtur nga Miraka në minutën e 78-të dhe në të katërtën minutë shtesë. Por është i pafat, ashtu sikurse e gjithë Dinamo, sepse është frenuar nga shtylla dhe në përfundim është Pogradeci që i është gëzuar fitores dhe 3-pikëshit. Kurse Dinamo vazhdon kështu të humbasë ndeshje dhe terren, javë pas jave.
Dinamo – Pogradeci 1-2
Shënues: Allmuça 68’(11-m.) / Shkalla 47’(a.g.), Topllari 59’
Dinamo: Kotorri, Tafaj, Shkalla (Sorra 89’), Thana, Allmuça, Rexhepi, Ferraj, Arifaj, Tragaj (Muça 63’), Imami (Rezi 57’), Turdiu. Trajner: R. Asllani
Pogradeci: Miraka, Pere, Hysenllari, Zeqollari (Kuqo 71’), Bufasi, Rapo, Çerepi, Topllari, Pengu, Jahaj (Alillari 73’), Çekiçi (Pura 84’). Trajner: A. Abazaj
Gjyqtarë: I. Myrtja, M. Dervishi, F. Thorja (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Thana, Allmuça, Rexhepi, Ferraj, Sorra / Miraka, Rapo (2), Çerepi, Kuqo
Karton i kuq: Rapo