Gjergj Vyshka 27.12.2014 16:10
Dinamo mund të rikthehet më 14 shkurt në “Qemal Stafa” në përballjen me Tomorin. Ky është opsioni që kanë dinamovitët gjithnjë nëse punimet nuk përfundojnë brenda afatit të caktuar në “Selman Stërmasi”.
Sipas administratorit të bluve, Ismet Saliaj, nga drejtuesit e stadiumit “Selman Stërmasi” është marrë informacioni se punimet do të mbyllen brenda janarit në një kohë që pjesa e dytë e sezonit për blutë nis më 7 shkurt 2014.
“Ne kemi mendimin se do të vazhdojmë atje. Megjithatë do të mendojmë dhe opsionin në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” pa kërkuar që të lëvizim jashtë kryeqytetit”, – ka thënë administratori i Dinamos, Ismet Saliaj.
Ndërkaq, për herë të fundit në tempullin e futbollit shqiptar, Dinamo ka luajtur sezonin e kaluar më 7 shtator ndaj Tërbunit, teksa ka barazuar 1-1.