Gjergj Vyshka 08.11.2014 17:55
Administratori Saliaj: Të paktën deri në dhjetor do të jetë një mundësi e mirë stërvitjeje. Dinamo i është rikthyer përsëri idesë për t’u stërvitur në fushën e vjetër të ish-kompleksit. Bëhet fjalë për terrenin me bar natyral, të cilit tashmë nuk i ka mbetur më asnjë fije e tillë për shumë e shumë arsye. E rikonstrukuar në vitin 1999 me financimet e UNCHR-së, si një dhuratë për klubin “Dinamo”, që u pritës i refugjatëve kosovar të luftës për çlirimin e vendit, ajo ka shërbyer për një periudhë shumë të gjatë jo vetëm për ekipin e parë, por dhe për skuadrat e moshave.
Më së shumti aty janë përgatitur tre ekipet kampione të Shqipërisë në sezonin 2001-2002, 2007-2008, 2009-2010, apo dhe ekipet fituese të Kupës së Shqipërisë më 2003-in dhe të Superkupës më 2008-ën. Por që nga ajo kohë, ajo fushë ka shërbyer vetëm si kënd lojërash për fëmijët e pallateve që janë rreth e qark kompleksit. Madje ajo fushë ka dhe një histori të tillë që më 2011-ën, kohë në të cilën qeveria Berisha ia pati kaluar kompleksin Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, aty janë bërë gara hipizmi. Dhe për rrjedhojë ka ardhur shkatërrimi i asaj fushe së cilës nuk i ka mbetur më asgjë.
“Madje, – thotë administratori i bluve, Ismet Saliaj, – dhe pompa e vaditjes nuk ekziston më, ndërsa e kanë vjedhur për ta shitur për skrap. Sigurisht që ka shumë probleme, sepse fusha ka gunga në të cilat çdo lojtar mund të nxjerrë dhe kaviljen. Mirëpo jemi duke e parë me specialistin dhe më pas të hënën do të bisedoj me drejtorin e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve për ta marrë përsipër për ta përmirësuar dhe për të vazhduar stërvitjen normalisht, të paktën deri në dhjetor. Sa për të shtruar gungat e fushës dhe për ta pastruar do të fusim dhe punëtorët për ta sistemuar atë si terren, që të jetë funksional për Dinamon.”
Në fakt në të gjithë këtë periudhë Dinamo ka vuajtur, atje ku nga pesë ditë që ka java për përgatitjen e një ndeshje, tre seanca i ka bërë në fushat e kalçetos dhe vetëm dy në fushë të madhe dhe në një orar të papërshtatshëm siç është 09:30. Për rrjedhojë tashmë është bërë domosdoshmëri vënia në funksion e fushës me bar natyral, që në fakt në ndarjen e pronave në ish-kompleksin blu ajo ka qenë pjesë e Dinamos.