Gjergj Vyshka 27.11.2014 10:55
Pa dy lojtarë kryesorë, Dinamo kërkon të pamundurën ndaj Butrintit në “Selman Stërmasi”. Që nga e marta, blutë kanë nisur përgatitjet e saj për ndeshjen e radhës, atë me Butrintin, të cilën do ta luajnë të shtunën në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Vështirësia dhe forca e kundërshtarit, por dhe fakti që blutë e Mehmetit do të jenë pa dy lojtarët kryesor, si Muça e Turdiu, e bëjnë Dinamon të kërkojë maksimumin në kushtet ekstreme të pamundësisë. Sërish është në diskutim mënyra se si Dinamo u mund të dielën në Ballsh.
Ndërsa pas stërvitjes së paradites së djeshme ka pasur dhe një diskutim të gjerë mes administratorit të bluve, Ismet Saliaj, dhe trajnerit të bluve, Dritan Mehmeti. Ndërkohë Mehmeti është duke menduar alternativat për të zëvendësuar Turdiun në sulm, kur një i mundshëm duket Sorra.
Por dhe për Muçën në mesfushë, sepse duhet gjetur partneri i Thanës. Ende vazhdon të mos jetë i kthyer në ekip Ferraj, i cili pas debateve me ndihmëstrajnerin dhe mbetjes jashtë 18-shes me Bylisin duket se ka vendosur të qëndrojë larg Dinamos. Ndonëse do të ishte një alternativë e mirë për blutë.
Sidoqoftë, pa dy lojtarë kryesorë, Dinamo kërkon të pamundurën në përballjen e parafundit me Butrintin në “Selman Stërmasi” të shtunën e ardhshme.